Dinamo do të presë Vllazninë të shtunën në orën 19.00 në “Elbasan Arena”, një ndeshje që do të shërbejë edhe si testim për trajnerin Ilir Daja për të parë se ku qëndron realisht skuadra e tij. Në prezantimin e sfidës, Daja thotë se ka dy mungesa, ndërsa gjithë të tjerët janë në dispozicion.

“Luajmë me Vllazninë, që ka një bonus psikologjik pas fitoreve radhazi që ka marrë. Kryeson me meritë dhe ka formën më të mirë të momentit, për mënyrën e lojës dhe marrjen e rezultatit. Ndeshjen e bën më të vështirë fakti që kemi përballë një Vllazni, që për momentin është ekipi më i mirë”.

“Jemi munduar të mbulojmë mungesën e Ditës me ndryshimin e manovrës, nuk ka shumë rëndësi skema si vendoset ekipi. E respektojmë Vllazninë, por synimi ynë është trepikëshi dhe duhet të hyjmë në fushë me mentalitet fituesi. Mendoj se na duhet të djersijmë shumë, që ato defekte që kemi, t’i mbulojmë me lëvizshmëri më të madhe. Qëllimi është që të prodhojmë lojë për të shkuar te rezultati maksimal”.

“Në ndeshjet që drejtoj Dinamon, e kemi nisur në avantazh. Kemi bërë mirë në pjesët e para, por kemi pasur probleme më pas, duke ditur që edhe disa lojtarë janë bashkuar me grupin në periudhën e fundit”.

“Na duhet të menaxhojmë më mirë sulmin, sepse kemi shumë humbje topi dhe kjo ka kosto për ne. Do të provojmë të ndryshojmë manovrën, pa ndryshuar shumë formacionin”.

“Jemi në fillim të kampionatit dhe në fillim të punës si staf i ri. Me Vllazninë na duhet patjetër trepikëshi, jo vetëm për tabelën e renditjes, por për të vazhduar me rezultate të mira. Stadiumi i Elbasanit na krijon kushte të mira për të luajtur futboll, por në Tiranë do kishim më shumë mbështetje nga tifozët tanë, siç e pamë në ndeshjen me Partizanin”.

“Kemi gjendje të mirë psikologjike, sepse kemi marrë dy fitore dhe dy barazime. Shpresojmë të vazhdojmë kështu. Për të parë forcën duhet të matesh me më të fortët”.

“Toli dhe Aliji? Të dy kanë potencial individual të mirë, kanë eksperiencë. Nuk kanë pasur minutazh para se të vinin te Dinamo dhe 2-3 muajt e fundit kanë bërë stërvitje individuale. Akoma nuk janë gati ta shtrijnë ndeshjen në 90 minuta. Me ndërprerjen e kampionatit javën që vjen do të kenë kohën e duhur të përmirësojnë gjendjen fizike”. Për ndeshjen e radhës mungojnë për shkak dëmtimi kapiteni Bruno Dita dhe Eridon Qardaku.