Dyshimet se lojtarë të ndryshëm në janar, me rihapjen e merkatos, do të largohen nga Veleçiku për të gjetur “strehë” në ekipe të tjera të kësaj kategorie, janë hedhur poshtë nga trajneri i kësaj skuadre Besnik Duli. Në një prononcim për gazetën, trajneri i njohur dhe më i suksesshmi në historinë e këtij klubi, ka bërë të ditur se nga koplikasit nuk do të ketë asnjë largim. “Po dëgjohen ditët e fundit fjalë sikur disa lojtarë do të largohen nga skuadra jonë në merkaton e janarit. Dua të saktësoj se këtu nuk ka asnjë të vërtetë.
Secili prej futbollistëve që është aktualisht pjesë e skuadrës, ka firmosur kontratë njëvjeçare me Veleçikun dhe do të jetë i detyruar ta respektojë atë deri në fund ashtu siç do ta respektojë edhe klubi atë çfarë është e shkruar në të. I vetmi rast që besoj se drejtuesit e klubit nuk do t’i pengojnë futbollistët të largohen është kur ato do lëvizin jashtë vendit ose për të shkuar në ndonjë ekip të Superligës shqiptare. Kjo është mëse normale sepse do ishte mëkat t’i pengonim këta futbollistë në karrierën e tyre por kuptohet jo duke i lënë të lirë për skuadra të tjera të kategorisë së parë”- ka thënë trajneri koplikas. Kësisoj, ai i ka mbyllur derën largimeve sepse në fakt ndonjë prej lojtarëve aktualë të kësaj skuadre përflitet se në janar mund të ndjekë trajnerin Krepi tek Ada. Megjithatë, pas kësaj deklarate duket se janë sqaruar shumë gjëra. Veleçiku ndërkohë është duke menduar për kampionatin. Fillimi i punës i trajnerit Duli tek kjo skuadër nuk ka qenë me këmbë të mbarë. Në dy ndeshje ai ka pësuar dy humbje megjithatë takimet me Adën dhe me Mamurrasin, ai i ndan më vete kur thotë: “Vërtetë ne kemi humbur në këto dy takime por kemi treguar se dimë të luajmë futboll. Ndaj Adës vërtetë kemi humbur por të gjithë e kanë parë se kemi luajtur një futboll shumë më të bukur se velipojakët dhe e kemi dominuar ndeshjes pavarësisht se kemi humbur. Sa i takon takimit me Mamurrasin, mund të them se ka qenë ndeshja më e mirë që ekipi koplikas ka zhvilluar. Pas një goli fantazëm që gjyqtari akordoi për vendasit (topi nuk e kaloi vijën fatale të portës), për rreth 50 minuta kemi qenë ne që e kontrolluam lojën dhe në minutën e 87-të Djepaxhia duhej të kishte barazuar rezultatin”. I pyetur se çfarë ka ndryshuar apo do ndryshojë tek skuadra tashmë që atë po e drejton ai pas largimit të Krepit, trajneri aktual Besnik Duli përgjigjet: “Nuk kam ndryshuar dhe as nuk kam ndër mend të ndryshoj asgjë. Kam shumë respekt për punën që ka bërë kolegu Krepi më përpara dhe thjesht po e çoj përpara atë. Skuadra ka përbërje të mirë dhe duhet të vazhdojmë të shohim përpara në mënyrë që të arrijmë objektivat që skuadra ka”. Koplikasit për momentin kanë grumbulluar 9 pikë dhe janë në një pozicion komod në renditje megjithatë kjo situatë nuk i bën drejtuesit e tyre të “flenë mbi dafina”. Vëmendja është përqendruar tek sfida e rradhës që do të zhvillojnë me Tërbunin e Pukës ku patjetër do kërkohet rezultat pozitiv sipas trajnerit Duli, paçka se ende nuk dihet se ku do të luhet ngaqë Veleçiku ende nuk ka një fushë të vetën për t’i luajtur ndeshjet.
Gjergj KOLA