Trajneri I Vllaznisë Shpëtim Duro nuk e ka shumë mendjen tek një shkarkim I mundshëm I tij në rast disfate edhe sot me Tiranën. Në Shkodër, kjo gjë përflitet megjithëse drejtues të klubit dy ditë më parë dhanë garancinë se  edhe këto katër ndeshje që kanë mbetur deri në fund të këtij viti, nuk do ketë asnjë masë. I pyetur në lidhje me këtë gjë, nëse ndjehet I frikësuar nga një shkarkim I mundshëm nëse nuk fiton me Tiranën, trajneri Duro është përgjigjur krejt ftohtë për gazetarët: “Frikë për shkarkimin? Kjo nuk është pyetje për mua. Unë jam tek Vllaznia për të bërë më të mirën time dhe mendoj se tani e kam bërë atë.

Shpresoj që bashkë me skuadrën të bëjmë më të mirën e mundshme edhe në ndeshjen ndaj Tiranës për të marrë rezultatin e duhur dhe pikërisht këtë gjë kam në mendje. Asgjë tjetër”. Deklarata e tij është e qartë. Ai vazhdon punën sepse në fund të fundit për këtë ka ardhur në Shkodër. Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë megjithatë ka trazuar gjërat. Sinjalin kjo situatë e mori me humbjen në Durrës. Brenda katër ditësh, Shpëtim Duros I janë prishur shumë plane. Megjithatë ai mbahet. Me shumë siguri, nisur edhe nga raportet e mira që ka me drejtuesit, nuk e ka shumë mendjen për ato çfarë mund të flitet nëpër qytet. Ai ka hyrë në muajin e pestë si trajner I Vllaznisë dhe me shumë siguri, më qetë se ka punuar në krye të kësaj skuadre në raportet me drejtuesit, nuk mund të ketë punuar askund më parë. Takimet me kryebashkiakun- president kanë qenë të rralla, dy apo tre herë. Edhe kryetari I bordit, edhe administratori nuk kanë shumë punë dhe takime me të. I vetmi me të cilin ka komunikuar vazhdimisht ka qenë drejtori sportiv Armir Grima. Kërkesat e trajnerit për lojtarë në merkaton e verës janë aprovuar prej tij dhe drejtuesve të klubit dhe të gjithë lojtarët që Duro ka dashur sot janë në skuadër. kjo do të thotë se nuk ka më justifikime. Nëse nuk kërkohet titulli kampion, të paktën vendin e dytë dhe të tretë, kjo skuadër duhet ta arrijë. Në përbërje ka lojtarë të mirë. Mund të ketë edhe dështime të merkatos por analizat me siguri që do bëhen në kohën e duhur. A ndjehet Duro I rrezikuar? Në pamje të parë jo. Ai edhe nëse humb sot me Tiranën sërish mund të jetë Brenda objektivave sepse mund t’I fitojë tre ndeshjet e mbetura të kësaj faze dhe Vllaznia shkon në pushimet e dimrit në pozita komode. Por duket se edhe trajneri ndjehet vetë paksa I lëkundur. Ndoshta ngaqë sheh se edhe skuadra nuk po I bindet aq sa duhet. Ajo “e la në baltë” të mërkurën ndaj Shkumbinit, pikërisht kur nuk duhej. Se faji I kujt ishte, kjo nuk do vërtetohet asnjëherë por e vërteta është se Vllaznia bëri shumë pak për të kaluar në turin tjetër të Kupës. “Goditjen” e parë Duro e mori. A do ta marrë të dytën sonte? Kësaj pyetje me siguri që askush nuk mundet t’I përgjigjet për momentin. Ajo më mirë se kushdo tjetër mund t’I përgjigjen lojtarët për mënyrën si do luajnë në fushë dhe vetë trajneri për motivimin që do u bëjë lojtarëve dhe mënyrën si do luajë për të mundur Tiranën. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë duhet pritur.
Gjergj KOLA