Trajneri i Vllaznisë, Shpëtim Duro, e ka vlerësuar fitoren pas një humbjeje dhe një barazimi, duke treguar edhe çelësin e këtij trepikëshi ndaj Luftëtarit. “Vinim nga dy rezultate jopozitive dhe realisht skuadra dhe ambienti nuk ishin të qetë. Na duhej me patjetër kjo fitore për të ngritur moralin. Kishim përballë një skuadër të fortë, e cila kishte marrë rezultatet në dy javët e para, ndaj edhe e morëm shumë seriozisht. Nëse analizojmë me kujdes ndeshjen, pjesa e parë dhe e dytë kanë shumë ndryshime jo vetëm në vendosjen e lojtarëve, por edhe në mënyrën dhe kontrollin e lojës karshi kundërshtarit. Në pjesën e parë shënuam dy gola dhe nuk e rrezikuam thuajse asnjëherë portën tonë, pasi mbrojtja ishte në lartësinë e duhur. Çudia erdhi në pjesën e dytë, kur, megjithëse luanim me një lojtar më shumë, bëmë sërish dy-tri gabime që duhet t’i evitojmë menjëherë. Gjithsesi, shënimi i golit të tretë solli gjithçka në favorin tonë”, – ka thënë fillimisht Duro.

Më tej tekniku i Vllaznisë ka treguar edhe çelësin e fitores ndaj Luftëtarit, i cili sipas tij ishte Deliç dhe Tafili. “Kam studiuar më së miri gjatë kësaj jave cilësitë e lojtarëve të mi, ndaj vendosa që Deliçin ta spostoja pas sulmuesve, aty ku ai dha edhe më shumë. Ishte pikërisht kjo lëvizje që solli edhe fitoren tonë dhe një lloj epërsie në mesin e fushës. Ndërkaq, aktivizova edhe Tafilin duke i dhënë detyrë që të markonte në mënyrë të rreptë Nikoliçin, duke mos i dhënë mundësi kundërshtarit që të organizohej. Them se edhe ky i fundit e bëri më së miri detyrën që i ngarkova. Pastaj u munduam të luajmë nga krahët, ku si Hajdari dhe Dragoi janë lojtarë të shpejtë dhe kanë një përdorim të mirë të topit. Me pak fjalë, ishte një fitore që na duhej për t’i dhënë një impuls tjetër kampionatit tonë. Skënderbeu dhe Tirana? Është shumë shpejt për të folur. Jemi vetëm në javën e tretë, kështu që do ketë kohë për të bërë të tilla llogari”, – ka përfunduar Duro.

www.shkodrasport.com