Vllaznia e re ka nisur nga puna. Ajo pasditen e djeshme në orën 18.00 ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në stadiumin “Loro Boriçi”. Para nisjes së saj, drejtori sportiv Armir Grima ka prezantuar para skuadrës trajnerin Shpëtim Duro ndërkohë që ky i fundit me pak fjalë u ka folur futbollistëve për atë se çfarë i pret, për mënyrën si do punohet dhe shumë gjëra të tjera. Trajneri i kuqebluve ka folur më pas edhe për gazetarët e pranishëm duke dhënë disa detaje të skuadrës që ai do drejtojë tani e tutje. Pa përgjigjet e pyetjeve të adresuara atij:
-Duro, seanca e parë në Shkodër. Cila është e veçanta e saj?
-Natyrisht që për çdo herë të parë ka diçka të veçantë megjithatë nuk është hera e parë që unë zbres në “Loro Boriçi”, paçka se herët e tjera kam qenë me ekipe të tjera. Megjithatë, tashmë unë jam trajner i Vllaznisë dhe kuptohet që janë emocionet e zakonshme. Nisi një punë të re, me një skuadër me traditë dhe besoj se të gjithë duhet të përkushtohemi për t’ia dalë mbanë.
-Pak kohë më parë jeni shprehur që në ditën e parë të stërvitjes dëshironi të keni 80 % skuadrën të plotë. është në këtë përqindje e plotë ajo?
-Nëse do ishte në dëshirën time, natyrisht që nuk do ta doja 80 % por 100 % të gatshme sot por janë disa gjëra që nuk varen as në dorën time dhe as në dorën e drejtuesve të klubit. Përpjekjet nuk kanë munguar nga të gjithë ne për të plotësuar skuadrën me lojtarët e duhur por ende nuk ia kemi arritur megjithatë mendoj se në momentin e shkuarjes jashtë për stërvitje të skuadrës, ajo do jetë e plotë. Ndërsa në këtë moment, mund të themi se jemi 60-70 përqind gati.
-Çfarë i mungon kësaj skuadre aktualisht?
-E kam thënë edhe më parë. Janë larguar 6 lojtarë nga sezoni i kaluar dhe këto largime duhet të plotësohen me po aq lojtarë, ndoshta duhet edhe një apo dy më shumë. Po bëjmë përpjekjet maksimale për t’i gjetur dhe besoj se në ditët e ardhshme gjërat do të jenë më të qarta.
-Ndërkohë, do ketë edhe largime nga skuadra?
-Unë ua bëra të ditur edhe lojtarëve para nisjes së stërvitjes. Unë e njoh mjaft mirë Vllazninë pavarësisht se sot është stërvitja e parë me të. E kam ndjekur sezonin e kaluar në 100 përqind të ndeshjeve të saj. Di që në skuadër janë disa lojtarë me përvojë që nuk kanë dhënë atë çfarë pritej prej tyre dhe kjo nuk është normale sepse prej tyre pritet të jenë shtylla e ekipit. Po ashtu, janë edhe disa futbollistë të rinj që kanë 3-4 vjet në skuadër dhe “kanë fjetur gjumë”. Kjo nuk është normale. Prandaj disa prej tyre mund të huazohen në skuadra të tjera dhe shembulli më i mirë ëhstë ai i Hajdarit që ka qenë pjesë e Adës dhe sezonin e fundit ishte zbulimi i Vllaznisë. Megjithatë gjatë këtyre dy javëve që do jemi në Shkodër besoj se shumë gjëra do sqarohen.
Gjergj KOLA