Ndryshe nga analiza dhe tonet e kritikës që ka shfaqur ndaj lojtarëve, në intervistën e tij për mediat, trajneri I Vllaznisë Shpëtim Duro është munduar “t’I mbrojë” futbollistët. Një taktikë shumë interesante kjo por në fakt është më e duhura sepse me këta lojtarë atij I duhet të punojë sërish në të ardhmen. Nëse në opinionin sportiv të gjithë kanë thënë se loja e Vllaznisë në Kukës ka qenë e dobët, nuk mendon kështu trajneri I saj që shprehet: “Personalisht nuk jam krejt dakord me një konstatim të tillë. Ne vërtetë kemi treguar edhe dobësi në momente të veçanta të lojës por nuk është se kemi zhvilluar një ndeshje të dobët. Të mos harrojmë se kishim përballë një skuadër si Kukësi që ka investuar mjaft në merkato dhe po ashtu duhet ta kemi të qartë se 70-80 për qind e kësaj skuadre përbëhej nga lojtarë të marrë nga ekipe si Skënderbeu dhe Flamurtari. Përballë një skuadre të tillë, marrja e një pikë në transfertë nuk mund të konsiderohet rezultat I keq paçka se dëshira ishte për ta fituar atë ndeshje.
Kuptohet që loja kishte edhe momente të dobëta por besoj se gjërat kanë për të ardhur duke u rregulluar”. Në Shkodër megjithatë kanë filluar pakënaqësitë për startin jo të mirë të kampionatit me vetëm një pikë të marrë në dy ndeshje kampionat. Edhe për vetë Duron nuk ishte starti I duhur dhe gjithçka ka të bëjë me humbjen e pësuar ndaj Skënderbeut për të cilën ai ende ka një peng të madh. “Unë kam menduar një nisje ndryshe por na penalizoi shumë humbja në javën e parë me Skënderbeun. Nëse gjërat do kishin shkuar ndryshe në atë ndeshje, tani do ishim duke folur ndryshe megjithatë ky është futbolli por nuk duhet të biem në pesimizëm por të shohim përpara sepse është fillimi I kampionatit dhe kemi shumë kohë në dispozicion për t’I riparuar këto gabime”- shton trajneri I Vllaznisë. Ndërsa I pyetur në lidhje edhe me pakënaqësitë që kanë filluar të shfaqen ndaj rendimentit të disa prej lojtarëve të ardhur gjatë merkatos së verës, trajneri Duro do të shtonte: “Normalisht kur një skuadër krijohet thuajse rishtaz, do të ketë edhe elementë që nuk do japin atë çfarë mendon. Ndonjë prej lojtarëve ka shfaqur probleme fizike ngaqë nuk ka zhvilluar një fazë përgatitore të rregullt por me kalimin e ditëve mendoj se gjërat kanë për të ardhur duke u rregulluar”. Vllaznia pas dy javëve të para duket se është e favorizuar nga kalendari I ndeshjeve të ardhshme teksa prêt në Shkodër rradhazi Luftëtarin dhe Apoloninë e pastaj do udhëtojë drejt Peqinit. Megjithatë trajneri Duro nuk mendon se gjithçka vendoset nga kalendari por nga impenjimi I lojtarëve në fushë dhe prandaj në fund të prononcimit të tij do shprehej: “Kalendari mund të jetë I favorshëm por ajo që vendos është fusha e lojës. Unë nuk do të cilësoja asnjërën ndeshje të lehtë por duhet të djersijmë fort për t’I fituar secilën prej tyre në mënyrë që të ngjitemi në renditje dhe të shkojmë në vendin që na takon”.
Gjergj KOLA