U arrit fitorja e parë dhe kjo sigurisht që ka rritur moralin. Mirëpo, në Shkodër ka një problem: sulmi nuk po reagon. Në tri javë të zhvilluara janë realizuar 4 gola, tri prej të cilëve i ka shënuar një mbrojtës, Dritan Smajli. Ky i fundit meriton elozhe dhe vetë trajneri nuk ia ka kursyer, por ai e ka hallin te ofensiva, që ende nuk e ka gjetur veten. Një ditë më parë, Shpëtim Duro ka analizuar së bashku me skuadrën ndeshjen me Luftëtarin. Ai ka nxjerrë konkluzionet pas këtij trepikëshi të arritur. Nga sa mësohet, tekniku i kuqebluve ka vlerësuar në tërësi skuadrën për shpirtin luftarak që ka treguar në fushë. Ndërkohë, ai nuk ka lënë pa përmendur dhe disa gabime që janë bërë gjatë ndeshjes. Por fatmirësisht ato nuk ndikuan në rezultat.

Sidomos Duro ka vënë theksin te lëshimi i lojës në pjesën e dytë, edhe pse skuadra luante edhe me një lojtar më shumë në fushë se kundërshtari. Ndaj trajneri u ka kërkuar të tijve që të mos përsërisin gabime të tilla, pasi kjo mund t’i ndëshkojë. Po ashtu, një kërkesë më e madhe është dhe për repartin e sulmit që duhet të reagojë patjetër në shënimin e golave, pasi në tri takime ka qenë inekzistent. Gjithashtu është vlerësuar për atë që kanë treguar në fushë loja e disa lojtarëve në veçanti, si Deliç, Smajli apo ndonjë tjetër. Ndaj dhe ndeshja me Apoloninë pritet të ketë të tjera ndryshime në lojën e skuadrës dhe në cilësinë e saj. E sidomos reparti i sulmit do të jetë në epiqendër të vëmendjes. Në përgjithësi Duro ka kërkuar që skuadra të jetë më e fuqishme dhe më e vendosur për të fituar, pasi mundësitë dhe forca ekzistojnë.
Admir URUÇI