Mbrojtja e Vllaznisë ka luajtur në mënyrë të shkëlqyer në Berat. Këtë mendim ka trajneri i kësaj skuadre Shpëtim Duro i cili nuk fajëson asnjë lojtar të këtij reparti për dy golat e pësuar. Një deklaratë të tillë ai e ka bërë në konferencën e sotme për shtyp. Duke folur në lidhje me këtë çështje, ai ka thënë: “Ishte një aksident në momentet e fundit. Pësimi I atyre golave, nuk është problemi i mbrojtjes. Mbrojtja ka luajtur shkëlqyeshëm, sidomos në pjesën e dytë ka qenë perfekt. Skuadra e Tomorit nuk ka rrezikuar për asnjë moment, kemi humbur 4-5 raste të pastra shënimi, ndërsa Tomori s’ka pasur asnjë rast.
Janë gola si të thuash spontan, devijime nga barrikada. Nuk është aksion I mirëfilltë I kundërshtarit, nuk është çështje pozicionimi mbrojtjes. Janë gola që ndodhin. Ishte fati i keq i yni që në fund u barazua ndeshja”. Deklarata ka ardhur një ditë para ndeshjes së rradhës, atë që Vllaznia do të luajë nesër në pasdite në Peqin ndaj Shkumbinit vendas, ndeshje kjo e vlefshme për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. I pyetur për këtë ndeshje dhe për objektivat që skuadra ka në këtë kompeticion, trajneri Duro ka thënë: ““Kemi ndeshjen e Kupës para asaj të kampionatit sepse për të do kemi kohë të mendojmë. Vlerësimi ynë do të jetë i dyfishtë edhe për Kupën, edhe për kampionatin. Kemi probleme me dëmtimet, sepse edhe Semina u dëmtua në Berat. Probleme kemi edhe me Dragoin dhe do shohim stërvitjen sot për të parë gjendjen e tyre. Pavarësisht kësaj shkojmë në Peqin për të marrë një rezultat sa më të mirë që do na lehtësonte punë për kualifikimin”.
www.shkodrasport.com