Trajneri i Vllaznisë, Shpëtim Duro, po vijon i qetë punën, pa e pasur shumë mendjen te një largim i mundshëm pas ndeshjes kundër Kastriotit. Në Shkodër po flitet shumë dhe sigurisht presioni më i madh ka rënë mbi trajnerin. Gjithsesi, ky i fundit kërkon që të përqendrohet te përgatitjet me skuadrën, në prag të sfidës me krutanët, duke lënë mënjanë ato që fliten. Por, edhe në rast dështimi me Kastriotin, Duro është i bindur se nuk do ta japë dorëheqjen. “Nëse klubi më shkarkon, atëherë normalisht unë do të largohem, por unë personalisht nuk e mendoj dorëheqjen, edhe nëse do të ketë ndonjë humbje në Krujë”.

Kështu mësohet se i ka thënë trajneri një prej drejtuesve të klubit shkodran. Duke respektuar heshtjen për shtyp të vendosur nga klubi, Duro dje nuk pranoi të jepte publikisht një deklaratë në lidhje me situatën që ekziston pas ndeshjes së fundit. Nënkryetari i Bashkisë, Ridvan Troshani, pak ditë më parë foli për çështjen e trajnerit, duke theksuar hapur se ka rezerva për punën e tij. “Duro duhet të justifikojë kontratën, i kemi dhënë mbështetjen e duhur”, – ka thënë ndër të tjera Troshani.
Kontrata – “Nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës. Mendoj se situatën e kam totalisht nën kontroll”. Këto kanë qenë fjalët që tekniku Duro ka shprehur pak ditë më parë. Edhe pas takimit me Kastriotin, sido që të jetë përfundimi i kësaj përballjeje, Duro nuk e mendon një largim me dorëheqje. Trajneri ka një kontratë 1-vjeçare me klubin shkodran dhe nëse e shkarkojnë, atëherë drejtuesit e Vllaznisë janë të detyruar të gjejnë një zgjidhje të marrëveshjes. Ana financiare luan një rol jo të paktë në këtë histori. Sezonin e kaluar, Vllaznia e mbylli me tre trajnerë. Shkarkoi Josën dhe Vatën, por më pas u detyrua të paguante rrogat e tyre edhe kur ata nuk ishin në pankinë.
Klubi – Nëse Vllaznia nuk merr një rezultat pozitiv në Krujë, atëherë për drejtuesit e klubit shkodran i takon vetë trajnerit të japë dorëheqjen. Në një kohë që Duro është i vendosur për të mos u larguar, klubi heziton për të marrë vendimin ekstrem, nisur nga ajo që i ka ndodhur me trajnerët në të kaluarën. Sidoqoftë, duket hapur që mes palëve ka një ftohje dhe situata në prag të ndeshjes së radhës është e nderë. Madje, të shumtë janë ata që mendojnë se po “projektohet” dështimi i radhës.
Admir URUÇI