Në Shkodër po flitet shumë për një largim të mundshëm të tij. Kështu ka ndodhur edhe me trajnerët e tjerë që e kanë drejtuar Vllazninë në të kaluarën. Megjithatë, Shpëtim Duro është i qetë dhe kërkon të vazhdojë punën, me synimin për ta kthyer Vllazninë te rezultatet pozitive. Drejtuesit e klubit i kanë dhënë garanci që pas sfidës me Tiranën, teksa vetë kryetari i Këshillit Mbikëqyrës së bordit, Ritvan Troshani, është shprehur se nuk bëhet fjalë për një shkarkim të Duros. Dje, në një bisedë për gazeten, trajneri rikonfirmoi situatën e tij në skuadrën kuqeblu.
“E kam thënë edhe herë të tjera, pasi nuk më takon mua kjo pyetje. Unë di t’ju them se e kam situatën nën kontroll me ekipin tim. Po vijoj punën pa asnjë ndërprerje dhe e shikoj skuadrën që po reagon mirë. Kjo pyetje u takon drejtuesve të klubit, pasi janë ata që mund të vendosin për një gjë të tillë. Nuk më shqetëson asgjë tjetër, veçse të bëj në më të mirën e mundshme punën time me këtë skuadër”, – ka thënë Duro.
Ecuria Duro kërkon që ekipi ta harrojë sa më parë javën që shkoi. “Po mendojmë për takimin me Besën. Kemi lënë pas atë humbje ndaj Tiranës dhe kërkojmë që të kthehemi te rezultatet pozitive. Nuk ka më kohë për ta kthyer kokën prapa, por duhet të shikojmë tek ajo që kemi përpara”, – shton trajneri. Sipas Duros, në këtë sezon nuk ka takime të lehta. Ai ka kërkuar që skuadra që drejton të tregojë të njëjtë lojë si ndaj Tiranës, ku shfaqi një grintë të madhe, pavarësisht se nuk arriti të fitonte. “Të gjitha ekipet janë të të njëjtit nivel, sidomos kur bëhet fjalë për këto dy skuadra. Si Vllaznia dhe Besa janë në pozicione të njëjta dhe ne do të kërkojmë që të marrim më të mirën. Sesa do t’ia arrijmë, kjo i mbetet fushës. Ne duhet të bëjmë lojën që zhvilluam në takimin e fundit”, – deklaron kreu i pankinës shkodrane.
Grupi “Ndryshe nga herët e tjera, kemi një skuadër më të kompletuar. Edhe pse ka probleme të vogla dëmtimesh, mund t’ju them se jemi të plotë. Dragoi është bashkuar me ekipin dhe deri të dielën të gjithë lojtarët e tjerë, që kanë probleme të vogla, besoj se do të jenë të gatshëm”, – thotë fillimisht trajneri, teksa pyetet për gjendjen e grupit. Ndërkohë, për sa i përket ndonjë lëvizjeje në formacion, Duro sqaroi: “Nuk e kam përcaktuar ende se kush mund të jetë në fushën e lojës në takimin me Besën. Kemi kohë për të përcaktuar lojtarët që mund të luajnë. Ndryshime do të ketë, por duhet parë për një gjë të tillë edhe këto ditë. Do të luajnë sigurisht ata që janë më në formë për momentin, kjo nuk ka asnjë dyshim”.
Admir Uruçi