Trajneri i Vllaznisë, Shpëtim Duro, pas ndeshjes së djeshme me Besën, një ndër arsyet kryesore që ka nxjerrë si shkakun kryesor të mosfitimit të ndeshjes, padyshim që ka patur të bëjë me mungesën e liderëve në sulm. Pikërisht në lidhje me këtë takim, ai ka thënë: “Është anormale që në një fushë të luhen dy ndeshje brenda dy ditëve. Kjo bëri që terreni të ishte i keq dhe për pasojë loja nuk kishte cilësi. Në raport me Besën, ne patëm mjaft raste me anë të Dragoit, Hajdarit dhe në fund edhe të Hysës, por nuk ditëm t’i shfrytëzonim. Me pak fjalë, ne nuk kemi personalitet në fazën sulmuese.

Ne prodhojmë shumë, por nuk dimë të gjejmë rrugën e rrjetës, duke pasur në ekip sulmues të lehtë. Gjithashtu, më duhet t’ju them se Dragoi, edhe pse u aktivizua dje, nuk ishte në 100% e vet më mirë, për shkak se vinte pas një mungese të gjatë prej një muaj e gjysmë”. Ndërsa, sa i përket gjykimit, Duro tha: “Gjatë ndeshjes pati vendime të diskutueshme. Ndoshta kanë qenë pa qëllim apo edhe për shkak të mungesës së përvojës”. Kjo është deklarata e trajnerit pas ndeshjes dhe sigurisht që në të ka shumë vend për t’u ndalur megjithatë tashmë asgjë nga ato që mund të thuhen nuk vlejnë sepse Vllaznia ka marrë vetëm një pikë në këtë ndeshje.
www.shkodrasport.com