“Te nusja hanë e pinë te dhëndri gjë nuk dinë”. Kjo shprehje do t’i shkonte më shumë për shtat asaj që sot po ngjet tek Vllaznia. Moszhvillimi i analizës së djeshme të drejtuesve të klubit shkodran me kryebashkiakun Lorenc Luka ka pasur si arsye mungesën e teknikut Shpëtim Duro, gjoja për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe pamundësisë së ardhjes në këtë mbledhje. Por e vërteta është disi më ndryshe, madje krejt ndryshe nga sa deklaron klubi. Vetë trajneri i skuadrës, Shpëtim Duro, i kontaktuar përmes telefonit, ka deklaruar se ai nuk ka qenë i ftuar fare në këtë analizë.
“Unë nuk kam qenë i ftuar në analizë. Gjendja ime shëndetësore nuk ka qenë e mirë, por nuk kam qenë aq rëndësi sa të mungoja në një analizë të tillë. Unë kam kontaktuar me zëvendësin tim për sa i përket procesit stërvitor dhe i komunikova atij dhe drejtuesve se nuk isha i gatshëm për sa i përket punës në terren me skuadrën. Por jo se nuk mund të vija nëse do të thirresha në një analizë të tillë. E theksoj: unë nuk kam qenë i ftuar në këtë analizë. Kam kontaktuar me drejtorin sportiv z.Grima pak ditë më parë dhe ai më ka thënë se duhet të dorëzojmë sa më shpejt një raport të hollësishëm për skuadrën dhe punën në tërësi, por jo që do të jemi si unë dhe Grima të ftuar në këtë analizë, por vetëm bordi mbikëqyrës, i cili pastaj do të jepte konkluzionet. Unë raportin e hollësishëm ia kam nisur në mënyrë elektronike (e-mail) çdonjërit prej drejtuesve për ta shikuar. Nuk do të mungoja kurrsesi në një analizë të tillë, jo në këtë gjendje që jam, por edhe më rëndë sikur të isha. Por fakt është se nuk isha i ftuar. Unë përmes jush dhe faqes së klubit e kam mësuar arsyen e shtyrjes së mbledhjes dhe m’u duk e pakuptimtë”, ka thënë Duro.
Situata- Tekniku Shpëtim Duro nuk është shprehur gjatë për situatën që po zotëron te Vllaznia, apo për pritshmëritë që ai ka ndaj asaj që mund të ndodhë. Ai tani është në pritje të një vendimi që drejtuesit e klubit do të ndërmarrin në drejtim të tij dhe të lojtarëve që ai drejton. “Nuk di çfarë të them. Unë e kam theksuar, jam në pritje të atyre që do të thuhen. Ajo që më është kërkuar, është paraqitur pa asnjë hezitim dhe me një përpikëri për gjithçka që ka lidhje me ekipin. I kam parashtruar opsionet e mia. Tani jam në pritje të asaj që ata do të bëjnë. Nëse do të ftohem, do të marr pjesë në analizën me kryebashkiakun Lorenc Luka dhe do të parashtroj atë raport që unë tanimë ua kam nisur përmes e-mail të gjithëve”, vijon tekniku.
Admir URUÇI
Aludime për tolerime, trajneri: Janë trillime
Pas takimit me krutanët, në Shkodër nuk kanë munguar edhe zërat për një tolerim të ekipit shkodran në këtë përballje. Madje përgjegjësia ka rënë në repartin e mbrojtjes, i kritikuar ky edhe nga tekniku Shpëtim Duro. Mirëpo vetë trajneri i kuqebluve është shprehur se nuk ka asnjë dyshim te lojtarët. “Nuk di se çfarë mund të thuhet andej-këtej nga persona të ndryshëm, por unë jam i bindur se në gjirin e skuadrës sime nuk ka asnjë emër që të dyshohet për lëshim të kësaj ndeshjeje. Unë në asnjë ekip që kam drejtuar, nuk kam pasur probleme të tilla. Nuk kam asnjë aludim për asnjë prej lojtarëve të mi dhe në këtë drejtim jam i prerë. Kush ka aludime, mund t’i tregojë më fakte. Me të vërtetë kam qenë kritik ndaj mbrojtjes, por këtë e kam thënë për lojën që kanë zhvilluar lojtarët e këtij reparti. Unë nuk kam as më voglin aludim për lojtarët e mi”, ka theksuar Duro. Vllaznia u mund 3-2 në ndeshjen e fundit të fazës së parë në Krujë, ku pjesa më e kritikuar ishte mbrojtja, për shkak të pësimit të 3 golave në mënyrë shumë foshnjarake.