Trajneri i Vllaznisë, Shpëtim Duro, ndihet më shumë se i qetë. Megjithatë nuk nguron të tregojë mbi situatën e skuadrës së tij. I pyetur për veten dhe se si ndihet pas ndodhive të fundit në klub, ai sqaroi se është në pritje të vendimit të drejtuesve. I kontaktuar pas miqësores së djeshme, Duro sqaroi se i vjen keq që pjesën më të madhe të gjërave e mëson nga mediat dhe jo nga vetë drejtuesit.

“Nuk kam çfarë të them. Vijoj të jem në pritje të asaj që do të vendosin drejtuesit. Ndihem tepër i qetë, ndërsa e kam theksuar edhe unë si trajner se nuk kam çfarë të ndryshoj, pasi ky isha dhe ky do të jem, nëse nuk ka ndryshime të tjera në skuadër. Unë më shumë gjërat i mësoj nga ju, mediat, sesa kam kontakte nga ana e drejtuesve”, – tha ai në lidhje me të ardhmen e tij dhe raportet me drejtuesit. Donatorët – Më tej trajneri nuk nguron që t’i komentojë edhe zërat për afrimin e mundshëm të disa donatorëve, gjë që është konfirmuar publikisht edhe nga drejtuesit. Duro e përshëndet një gjë të tillë, duke e cilësuar si një zgjidhje për shkodranët. “Më vjen mirë që mësoj se klubin do ta marrin në përdorim biznesmenët, pasi është një plus më tepër. Megjithëse pozitivja duhet të kishte qenë që këta ta kishin marrë që në verë, në mënyrë që të ishin arritur afrimet cilësore që ne, apo unë më mirë, kisha në planet e mia. Unë e theksoj, jam në pritje”, – ka deklaruar tekniku i kuqebluve. Sa i përket miqësores dhe lojtarëve që u aktivizuan, tekniku tiranas do të shtonte. “Për takimin nuk kam çfarë t’ju them, pasi kam aktivizuar shumë lojtarë dhe kam bërë të gjithë ndryshimet që kam pasur në dispozicion”, – përfundoi Duro.
Admir URUÇI