Trajneri i Vllaznisë, Shpëtim Duro, është gati për të drejtuar skuadrën kuqeblu drejt ndeshjes së parë të sezonit, atë kundër Skënderbeut, të premten mbrëma, sfidë që sipas Duros natyrshëm është një e tillë shumë e rëndësishme.Ne nje interviste te posaçme per gazeten “Sport Ekspres”, numri 1 i pankines shkodrane ka shpjeguar shume gjera ne prag te ndeshjes se pare te kampionatit. Ja intervista e plote dhene per kete gazete:
– Ju dhe Vllaznia nuk jeni vetëm këtë verë, sepse drejtuesit kuqeblu ju bënë ofertë që në tetor, apo jo?
– Po pas largimit të Josës më bënë një ofertë konkrete, por nuk besoj se ishte momenti i duhur për të firmosur sepse unë sapo isha larguar nga Skënderbeu. Tri vite më parë gjithashtu Vllaznia më kërkoi që të merrja stolin, por unë asokohe për shumë arsye zgjodha Besën dhe jo ofertën e Fushajt. Folëm me drejtuesit që në muajin mars dhe arritëm në përfundimin që sezoni i shkuar duhej mbyllur në ato kushte që ishte dhe të fillonte një punë e re që në qershor.
– Kur mbërritët në skuadër, gjetët pak lojtarë
– Po, e vërtetë, vetëm 2-3 titullarë. Shumica e lojtarëve të huaj ishin larguar. Në këtë drejtim, në kundërshtim me disa klube të rëndësishëm, ishim disa hapa pas.
– Shumë gjëra kanë ndryshuar në merkato, apo jo?
– Përpara se të them se çfarë ndodhi, do ju them që ne si klub mendojmë se kemi marrë futbollistë të rëndësishëm që ne na përshtaten nga ana sportive dhe financiare. Vllaznia është klubi i qytetit, mbahet nga taksapguesit, ndaj të cilëve ka një përgjegjësi të shumëfishtë. Është një investim që praktikisht i bëjnë tifozët dhe ne jemi munduar të ndërtojmë një organikë të logjikshme.
– Donit lojtarë të tjerë?
– Fillimisht, me shumë të drejtë, unë dhe klubi menduam që të merrnim lojtarët më të mirë shkodranë. Por gjërat jo gjithnjë shkojnë sipas planeve. Bala iku në Çeki, Lika ishte nën kontratë me Tiranën, ndërsa Sukaj e Vajushi nuk mund të vinin. Nuk kishim asnjë shans t’i kishim në ekip. U rikthye Elvin Beqiri që do të jetë dhe kapiten, rikthyem dhe Shtubinën e Nallbanin, dy lojtarë që opinioni këtu në Shkodër i do. E rëndësishme është të ketë lojtarë shkodranë. E përsëris, në fund të fundit, kjo skuadër është e qytetit dhe zëri i tifozit këtu është i rëndësishëm.
– A është e vërtetë që në Shkodër ka shumë presion?
– Jo, absolutisht. Shikoni, gjatë verës gjithçka duket mirë. Rezultati më pas tregon nëse puna ka qenë vërtetë efikase apo jo. Çdo gjë varet nga rezultatet. Ne kemi dy muaj që punojmë në kushte të shkëlqyera, shumë të mira, në qetësi dhe me përkushtim.
– A ka probleme brenda klubit? Gjatë sezonit të kaluar ka pasur shumë.
Nuk e di çfarë ka ndodhur. Sigurisht, kam lexuar në shtyp që shumë herë drejtuesit kishin kontradikta, por unë po ju them që unë e Grima kemi qenë një. Kemi punuar me devotshmëri dhe kemi qenë seriozë. Pa Grimën kjo skuadër sot nuk do të ekzistonte. Ka qenë ai që ka folur me këdo lojtar për të ardhur këtu.
– A do të donit ndonjë lojtar tjetër në merkato?
– Po, nuk e mohoj që, për mënyrën se si unë kam dëshirë që skuadra të shprehet në fushë, do të doja të kisha dhe Bledi Shkëmbin dhe një sulmues me përvojë.
– Po ju, i bërë ofertë Shkëmbit?
– Me të kam raporte shumë të mira. Kemi folur disa herë, por asnjëherë për shifra sepse unë e kuptoj që ai e ka shumë të vështirë të largohet nga Skënderbeu.
– A mund të jetë Rexha një surprizë e kampionatit?
– Është një sulmues i fortë me kokë, një “pykë” e vërtetë. Është ende shpejt për të folur për të. Patjetër që unë kam dhënë viston. Ai mund të jetë shumë më i mirë se gjithë sulmuesit në vend, por duhet parë.
– Ndeshja e parë kundër Skëndërbeut. Revansh personal?
– Jam krenar që kam qenë trajneri që e kam bërë Skënderbeun Kampion pas 78 vitesh. Tani nuk kam asnjë lloj ndjesie. Jam profesionist dhe mendoj vetëm për Vllazninë.
– Të premten, në stadium do të ketë shumë tifozë. Keni emocione?
– Më shumë dëshirë për të treguar se sa vlejmë. Skuadra ka dëshirë ta tejçojë këtë emocion te njerëzit.
– Premtoni titull pas 12 viteve?
– Jo, është e gabuar të premtosh. Ka ekipe të tjera gjithashtu të forta. Fusha do e tregojë. Jemi 3-4 skuadra që mund të shkojmë gjer në mars për titull. Më pas nuk i dihet. I marrim ndeshjet një e nga një. E rëndësishme është të gëzojmë tifozët. Duhet loja e bukur, por mbi të gjitha rezultati.