Java e katërt e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj ka dhuruar sfidën Tirana- Vllaznia. Dy pretendentet kryesore për fitimin e titullit kampion do të ndeshen kësisoj për të parën herë në këtë sezon për të matur forcat me njëra- tjetrën. Takimi që do të luhet në pallatin e sportit “Asllan Rusi” pritet me interes nga të gjithë dashamirësit e këtij sporti. Natyrisht që me interes pritet edhe në kampin shkodran. Vllaznia me meritë kryeson për momentin renditjen e kampionatit me tre fitore të arritura në po kaq ndeshje të luajtura. Një fitore nesër ndaj bardhebluve do të bënte që ajo të siguronte thuajse përfundimisht vendin e parë në përfundim të fazës së parë të kampionatit. Duke folur për shkodrasport.com, trajneri Bledar Gjeçaj shprehet se pavarësisht disa dëmtimeve që ka në skuadër, ajo do të kërkojë fitoren edhe në këtë përballje. “Takimi është shumë i vështirë. Ne e kemi nisur mirë kampionatin por kuptohet që përballja me Tiranën është një barometër për ne prandaj dhe do të kërkojmë të paraqitemi sa më mirë. Me fitoret e tre takimeve të para, u kemi treguar të gjithëve se Vllaznia edhe pa basketbollistë të huaj do të jetë sërish pretendente për titullin kampion. Kuptohet që ndaj Tiranës do të kërkojmë fitoren megjithëse kemi disa probleme sepse Bekteshi ka dëmtuar sërish kaviljen dhe e ka të pamundur të luajë në këtë takim ndërkohë që edhe Shabani ka pësuar një dëmtim. Kemi probleme në pozicionin 1 megjithatë do të mundohemi ta zgjidhim me anë të Berdicës. Unë si trajner nga kjo ndeshje do të kërkojë mbi të gjitha lojën e mirë. Kjo ngaqë në tre ndeshjet e para vërtetë kemi fituar, por skuadra nuk ka treguar stabilitetin e duhur. Me Kamzën gjithçka ka funksionuar siç duhet ndërsa në dy ndeshjet e tjera jo ashtu si dëshiroja unë. Por ky stabilitet që kërkoj, do të na ndihmojë shumë për të ardhmen sepse kampionati sa vjen e do të vështirësohet madje sipas informacioneve që kam, edhe ekipet e tjera kanë ndër mend të hyjnë në merkato për të ofruar lojtarë të huaj në fazën e dytë dhe prandaj parashikoj një kampionat shumë të rivalizuar deri në fund”-ka thënë trajneri i ekipit shkodran.
Gjergj KOLA