Ndeshja e nesërme ndaj Skënderbeut konsiderohet edhe më e vështirë se ajo me Kukësin. Ky është përcaktimi që i bëhet kësaj sfide nga ana e trajnerit Ernest Gjoka.

Ai e ka pranuar para gazetarëve se ka qenë një javë e vështirë kjo e fundit por ekipi do të dijë të dalë nga ky moment i vështirë. “Ka qenë një javë e vështirë, ka pasur shumë komente, shumë zhurmë, me të drejtë, pasi pritej shumë nga ne.

Kemi kaluar një ndeshje të vështirë, nuk e realizuam atë që kishim si objektiv, por këtë javë jemi munduar ta mbajmë skuadrën sa më hermetike, për të qenë sa më larg zhurmës dhe komenteve.

Jemi përgatitur për një ndeshje tjetër, edhe më të vështirë se ajo që kaluam. Kam besim se Vllaznia do të paraqitet më mirë ndaj korçarëve”- ka thënë ai.

I pyetur nëse do të ishte i kënaqur edhe me një barazim, Gjoka shton: “E kishim të qartë se dy ndeshjet e fundit të kësaj faze ishin me dy ekipet më të mira të kampionatit.

Me kampionët në fuqi e kaluam me rezultat jopozitiv, ndërsa Skënderbeu e dini të gjithë çfarë potenciali ka. Duhet të jemi të qetë dhe të përgatitemi për të marrë diçka pozitive.

Vllaznia e ka potencialin për të dalë nga kriza, këmbëngul për këtë. Gjithsesi, këto janë ndeshje shumë të vështira. Nuk duhet të humbasim, kjo është e rëndësishme. Në këtë mënyrë qetësohet edhe situata”.

Trajneri i kuqebluve ka edhe një mesazh për tifozët kur thotë: “Ata kanë të drejtë të jenë të mërzitur me ne por kështu nuk zgjidhim gjë. E rëndësishme është që të jemi të gjithë sëbashku sepse vetëm kështu, mund ta nxjerrim Vllazninë nga pozicioni ku ndodhet dhe besoj se kjo është dëshira e të gjithëve, prandaj unë besoj se tifozët do t’i kemi përkrah edhe këtë herë”.
© shkodrasport.com