Zgjidhet problemi i pjesmarrjes së ekipit të boksit të Vllaznisë në kampionatin kombëtar dhe objektivat e tij mbesin sërish të njëjtat: Fitimi i titullit të 25-të kampion.
E gjitha kjo ka ardhur pas ndërhyrjes së kryebashkiakut Benet Beci. Ai ka dëgjuar me vëmendje shqetësimin e shprehur në media të trajnerit Zef Gjoni për mungesën e fondeve teksa deklaronte se nëse Bashkia nuk ndërhynte deri të hënën që shkoi, Vllaznia do të merrte pjesë veçse formalisht në kampionat, pa asnjë pretendim për titull.
Gazeta “Shkodra Sport” mëson se në fillim të kësaj jave ka patur një takim mes trajnerit Zef Gjoni dhe kryetarit të Bashkisë Shkodër Benet Beci në zyrën e këtij të fundit, takim nga i cili ka marrë zgjidhje çdo gjë.
Numri 1 i Bashkisë e ka siguruar “njeriun e hekurt” të boksit shkodran e shqiptar se brenda pak ditësh shuma e nevojshme për pjesmarrjen me ekip të plotë në këtë kompeticion do t’i sigurohet dhe tashmë mbetet vetëm arritja e objektivit, sjellja e titullit kampion në Shkodër.
Një gjë e tillë e ka kënaqur trajnerin Gjoni sepse planet e tij tashmë do konkretizohen dhe bashkë edhe me sportistët që do të vijnë nga jashtë si Kristian Demaj, Rexhildo Zeneli, Giljan Rajku etj, Vllaznia do të jetë e plotë dhe në garë me synime të qarta për të sjellur në Shkodër titullin e 25-të kampion./SHKODRA-SPORT.COM/