Trajneri Hasan Lika po i jep dorën e fundit ndërtimit të skuadrës për sezonin e ri. Ai e ka pranuar vetë që tashmë merkatoja e Vllaznisë mund të quhet e mbyllur.
Me 6 afrime të reja ku njëri prej lojtarëve ende nuk është dukur dhe me një rikthim të Renato Malotës për qendrën e mbrojtjes, tekniku ka bërë aq sa ka pasur mundësi.
E vetmja gjë që e shqetëson teknikun është arritja e marrëveshjes me titullarët e sezonit të kaluar. Janë gjashtë lojtarë që ende nuk kanë thënë një “po” të prerë. Tekniku në njëfarë mënyre ka saktësuar edhe formacionin që pritet të hedhë në fushë në sezonin e ri.
FORMACIONI – Formacioni gjatë këtij sezoni pritet që të ketë shumë lëvizje. Porta do t’i besohet Sherrit, por gjithsesi konkurrenca me Selimajn pritet që të jetë e fortë.
Në mbrojtje afrimet e Malotës, Ignat e Zeqajt kanë bërë që edhe ky repart të ketë konkurrencë brenda vetes. Pasi këtyre u bashkohen edhe shkodranët, Marku, Gocaj, Pjeshka, Gurishta e Mehmedaj. Madje, nisur nga emrat përbërja duket e plotë.
Por, mesa po shikohet si katërshja e formacionit të parë pritet që të përbëhet nga Gocaj nga e djathta, Malota e Ignat në qendër e Marku nga e majta. Gjithsesi, alternativat janë të shumta dhe natyrisht konkurrenca do të jetë e madhe. Edhe mesfusha duket OK. I vetmi afrim në këtë repart ka qenë ai i Devi Bilalit.
Lojtari i ardhur nga Teuta mund të jetë një nga pikat e forta të mesfushës. Megjithatë, në këtë repart do të jenë edhe lojtarët e tjerë me eksperiencë si kapiteni Lika, Tafili, Bardulla, Krymi apo Hajdari. Momentalisht, 5-shja e këtij reparti pritet që të jetë e përbërë nga Lika në të djathtë, Hajdari nga e majta.
Në qendër dyshja Krymi e Tafili pritet të mbajnë peshën e këtij reparti, ndërsa Bilali e Bardulla do të jenë konkurrentë për një vend më të avancuar. Momentalisht, Bilali është më i favorizuar edhe për faktin se Bardulla është ende i dëmtuar. Një nga repartet që momentalisht do t’u besohet emrave të rinj është sulmi.
Tre nga katër lojtarë janë 21-vjeçarë. Vetëm Pusi është pjesë e skuadrës së sezonit të shkuar, ndërsa tre të tjerët janë afrime të reja. Silvio Zogaj është lojtari që është provuar më tepër edhe në takimet miqësore dhe pritet si zgjidhje e parë.