Trajneri i përfaqësueses së Andorrës, Koldo Alvarez, mendon se ndryshimi i trajnerit zakonisht është një shtysë më shumë për ekipet dhe për këtë arsye Shqipëria do të ketë një motivim më të madh nesër në fushën e lojës.

Por në konferencën e sotme për shtyp, ai theksoi se po përgatiste ekipin e tij që të shfrytëzonte sa më mirë këtë situatë dhe ta kthente në favorin e vet.

“Ndryshimi i trajnerit është gjithmonë një motivim më shumë në këtë aspekt, por është një situatë ku do të tentojmë që në fund të jetë në favorin tonë”, theksoi ai gjatë konferencës së sotme për shtyp.

Përkrah tij ishte edhe mbrojtësi Ildefons Lima, i cili nënvizoi se ekipi ndjente lodhjen e ndeshjes ndaj Islandës. “Është e komplikuar të rikuperosh nga lodhja fizike pas një ndeshje të këtij niveli brenda tre ditësh, por bëjmë maksimumin të jemi në formën më të mirë.

Gjithsesi, ky nuk duhet të jetë një justifikim për ne” tha ai, duke menduar ashtu si trajneri se ekzistonin mundësitë për një rezultat pozitiv. /vipsport/