Besëlidhja bëri një surprizë të madhe në Kupën e Shqipërisë teksa në sfidën e parë mposhti me rezultatin 3-0, Partizanin. Lezhjanët tashmë janë pretendentët kryesorë për të kaluar më tej, edhe pse duhet të “shtrëngojnë dhëmbët” për 90 minutat e kthimit ndaj të kuqve.

Megjithatë, i ftuar në emisionin Ora Sport, trajneri i Besëlidhjes, Elvis Plori u shpreh i bindur se ekipi i tij do e eliminojë Partizanin. Plori nuk harroi të theksonte se objektivi kryesor i tij është ngjitja në Superiore, ndërsa “thumboi” duke thënë se disa klube të Superiores janë më poshtë se Besëlidhja e tij.

“Unë nuk kam presion. Kupa e Shqipërisë nuk ka qenë qëllimi im, por të ngjitemi në Superiore. Por klubi ka insistuar që të luajmë me formacionin më të mirë në kupë. Pavarësisht diferencave, skuadra ime është kompetitive.

Kemi lojtarë kualitativ për t’u ngjitur në superiore. Fitorja në ndeshjen e parë nuk ishte rastësi, kemi performuar mirë. Disa klube të superiores janë poshtë skuadrës time. Do e eliminoj Partizanin nga kupa. Jam i sigurt”, u shpreh Plori. /VipSport/