Elbasani u ka dhënë fund përgatitjeve anti-Lushnjë, që do ta luajnë sot në transfertë. Për verdheblutë, kjo është sfida vendimtare e sezonit. Që të shpresojnë te mbijetesa, u duhet patjetër të fitojnë dhe më pas të shpresojnë që Flamurtari të mos mundet nga Turbina.
Pra, përgjatë 90 minutave, përveçse do të mendojnë për ndeshjen e tyre, do ta mbajnë një vesh edhe nga Vlora. Përpara kësaj sfide, për “Panorama Sport” trajneri Anxhelo Suta kërkon nga të tijtë mobilizim maksimal dhe u bën thirrje të përqendrohen vetëm te përballja me Lushnjën.
“Kemi mbërritur në fund të kampionatit dhe tani jepen verdiktet e sezonit. Ne duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen tonë, sepse nëse nuk fitojmë ndaj Lushnjës, jemi të rënë matematikisht nga kategoria. Këtë u kam kërkuar edhe djemve, të mendojnë vetëm për përballjen që kemi dhe të mos e mbajnë mendjen në vend tjetër. Më pas, le të shpresojmë që Flamurtari të mos fitojë ndaj Turbinës”, përfundoi tekniku i elbasanasve.