Elbasani – Teuta është ndeshja që mbyll javën e dytë të Superiores. Ky takim do të luhet në “Elbasan Arena” prej orës 20:00.

Trajneri i Elbasanit Roberto Bordin ka folur në prag të këtij takimi. Bordin tregon objektivin për të fituar takimin, teksa beson te mbështetje e madhe nga ana e tifozëve.

Ndeshja e parë në shtëpi si trajner i Elbasanit. Si e prisni?

Normalisht është shumë e rëndësishme të luajmë në shtëpi para tifozëve tanë. Duhet të jemi super të përqendruar, sepse nuk do të jetë e thjeshtë për të arritur rezultatin final. Megjithatë, është po aq e rëndësishme të bëjmë një paraqitje të mirë para tifozëve tanë.

Sa e njihni kundërshtarin e radhës, Teutën?

Kemi marrë informacione, padiskutim. Teutën e kam parë edhe nga viti i kaluar, pasi trajneri është po i njëjti. E kemi analizuar si skuadër dhe pas përgatitjeve të fundit që kemi bërë, besoj se jemi gati. Kundërshtari ka një skuadër që ka individë të mirë, por siç e thashë, ne luajmë para tifozëve tanë dhe duhet që ta fitojmë këtë ndeshje.

Si është gjendja me dëmtimet dhe sa ju penalizojnë?

Pikë së pari më vjen keq për vetë ata, sepse duan të jenë pjesë e grupit dhe gati. Gjithashtu edhe ne si staf, pasi duam të kemi sa më shumë zgjedhje dhe alternativa. E rëndësishme është që të gjithë ata që kanë pasur dëmtime të vogla janë në rrugë të mbarë, ku Aresen Kasa rikuperohet për ndeshjen e radhës. Megjithatë, nuk jam i shqetësuar, sepse kemi shumë lojtarë dhe ata që do luajnë do të bëjnë një ndeshje të mirë.

A është ende skuadra juaj e kompletuar, apo dëshironi lojtarë të tjerë nga merkatoja e verës?

Merkatoja përfundon pas disa ditësh dhe të gjitha llogaritë do t’i bëjmë pasi ajo të mbyllet.

Cilat janë përshtypjet tuaja të para rreth futbollit shqiptar?

Të mira. Javën e kaluar luajtëm me një skuadër me cilësi, por ekipi ynë reagoi mirë, duke marrë parasysh se jemi skuadër e sapongjitur në Superiore.

Në Korçë pati një prezencë të madhe nga ana e tifozëve, çfarë prisni tani në Elbasan kundër Teutës?

Ma kanë shpjeguar, por edhe vetë e kam parë dhe e ndiej mbështetjen e tifozëve, siç e pamë edhe javën e parë që ishte e lartë në transfertë. Besoj se do të jetë akoma edhe më e madhe në ndeshjen e parë në shtëpi. Janë një shtytje e madhe për lojtarët në fushë.