Të martën u hodh shorti i Ligës së Kombeve, ku Shqipërisë fati i goglave i rezervoi skuadrat e Bjellorusisë, Lituanisë dhe Kazakistanit. Pas hedhjes së shortit ka folur trajneri i kësaj të fundit, Mihal Bilek, që ka analizuar paraqitjet e deritanishme të ekipeve në këtë grup. Vlerëson cilësinë e lojtarëve tonë, por thekson se diferencat janë të vogla.

“Niveli i skuadrave në këtë grup është gati i njëjtë dhe ne kemi shanset tona. Do të përgatitemi me kujdes për secilën ndeshje dhe do i studiojmë kundërshtarët. Shqipëria është një nga skuadrat që po përparon më shumë në Europë.

Ekipi i tyre përbëhet nga lojtarë të një cilësie të lartë në Itali, Spanjë, Greqi, Kroaci dhe Rusi. Nuk duhet të harrojmë faktin se në Europë nuk ka më ekipe të dobëta. Të gjithë kanë mësuar të luajnë futboll”, u shpreh trajneri i Kazakistanit, Mihal Bilek.

Kazakistani është një kombëtare me të cilën Shqipëria nuk ka një historik të gjatë. Kombëtarja jonë ndaj tyre regjistron vetëm dy sfida në vitet 2004-2005. Ishin ndeshje të eliminatoreve të Botërorit të një viti më pas. Kuqezinjtë e kanë treguar qartë superioritetin ndaj kundërshtarëve kazakistanas, duke arritur t’i fitojnë të dyja këto përballje.

Në të parën më 13 tetor 2004, kuqezinjtë kanë arritur të triumfojnë minimalisht në transfertë. Në kthim kanë arritur përsëri të triumfojnë në “Qemal Stafa” me rezultatin 2-1. /vipsport/