“Shqipëria ka arritur një sukses në Memorialin ndërkombëtar të boksit”. Kështu është shprehur menjëherë pas fitimit të 3 medaljeve të arta trajneri i Kombëtares, Zef Gjoni. Tekniku shkodran thotë se tre medalistët kanë kaluar parashikimet për këtë aktivitet. Në peshën 49 kg Taulant Zajmi ka mposhtur rusin Valentin Kebokakov 17-15, Rexhildo Zeneli në 56 kg ka mundur 12-9 rusin Uzgan Tigran, ndërsa Kristian Demaj plotësoi suksesin teksa, përveç medaljes së artë ndaj rusit Radoslav Pantalev në 81 kg, u shpall boksieri më i mirë i aktivitetit.
“Duke parë boksierët që vinin nga Rusia, të cilët sapo kishin fituar trofe në kampionatin vendës, njëherësh që ishin pretendentë për Lojërat Olimpike, e kisha të pamundur të krijoja besimin se mund të arrinim rezultate shumë të larta. Kam pretenduar 3 finalistë dhe vetëm një medalje të artë, por në fund falë përkushtimit arritëm t’i tejkalojmë parashikimet tona. Patëm shansin që, për herë të parë, të bëjmë një grumbullim njëmujor”, – thekson Gjoni. Duke folur për të veçantat e këtij viti trajneri i Kombëtares tregon se skuadra skoceze pati nënkampionin e botës. “Përveç skocezit, edhe Mali i Zi pati kampionin e Lojërave Mesdhetare. Të dy këta kundërshtarë të fortë arriti t’i thyente Kristian Demaj. Skuadrat kanë mbetur të kënaqura nga mikpritja që gjetën në Shkodër, si dhe nga tifozëria shkodrane, që ishte tepër e zjarrtë”. Memoriali zhvillohet në nder të figurave të shquara, të cilët nuk jetojnë më si: Dervish Efovija, Shyqyri Halili, Ymer Gruda, Fadil Efovija, Ndoc Gjoni, Nazmi Halili, Kolec Ashiku, Lem Kosova dhe Shpresim Bregu.
Senad Nikshiqi