Trajneri i Kukësit, Peter Pakult, është shprehur mjaft i kënaqur pas fitores ndaj Vllaznisë, pasi vjen në një moment shumë të përshtatshëm.

Ai ka folur së pari për episodin e diskutueshëm të penalltisë së pretenduar nga shkodranët në rastin e Sukajt me Allën: “Kisha një bisedë të shkurtër me Sukajn dhe i thashë: edhe unë kam qenë sulmues dhe situata të tilla kam pasur në karrierë.

Veprimi i parë është që sulmuesi futet i pari në kontakt, por më pas shihet se është penallti. Ishte apo jo penallti? Arbitri nuk e dha.

Është vështirë t’i thuash mbrojtësit ndonjë gjë në të tilla arste. Janë dyluftime dhe unë nuk është se jam mik i atyre që përdorin duart në vend të këmbëve.

U desh patjetër të bënim një reagim pas ndeshjes me Luftëtarin. Qëllimi ishte që të kthehemi te fitorja dhe kjo është shumë e rëndësishme para pauzës që kemi tani për shkak të ndeshjeve të kombëtares.

Ekipi bëri shumë mirë, duke e futur në presion Vllazninë. Më vjen shumë mirë, që aksioni i golit të dytë ishte shumë i bukur. Nuk pësuam gol dhe kjo është shumë e rëndësishme. Jemi më të qetë për ndeshjet e radhës.

Ata që u ulën në stol nuk është për t’u treguar se duhet të marrin ndonjë leksion. Ishte një vendim i yni si staf teknik. Para ndeshjes, në mbledhje, u thashë se nuk mund të luajnë gjithmonë të njëjtët lojtarë.

Salihi apo Guri? Janë të ndryshëm. Nuk mund t’i krahasoj. Guri lufton shumë për ekipin, vrapon shumë. Jam i kënaqur që kam punuar me Salihin dhe që kam Gurin. Nëse Guri vazhdon me hapat e Salihit, do të jetë shumë mirë për të”, – tha trajneri Pakult. /Vipsport/