Humbja ndaj Laçit ka trazuar ujërat në kampin verilindor. Më shumë sesa lënia e tri pikëve, në Kukës janë “të tërbuar” me mënyrën se si u mundën në këtë ndeshje, ku në shënjestër është vënë gjyqtari Kridens Meta, më së shumti për atë gol të anuluar të Bruno Lulajt në pjesën e parë.
Edhe vetë presidenti i nderit, Safet Gjici, në përfundim të ndeshjes hodhi akuza të ashpra ndaj tij, duke e quajtur “laçjan”, ndërsa edhe në faqen zyrtare të klubit, i është lënë për diskutim tifozëve arsyeja e anulimit të atij goli. Deri para kësaj ndeshjeje në Kukës nuk ishin marrë shumë me arbitrat, ndonëse rastet kundër nuk i kanë munguar.
LONGO – Në fund të ndeshjes, edhe vetë trajneri i verilindorëve, Diego Longo, ishte i tërbuar me anulimin e këtij goli, aq sa e konsideronte ndeshjen të mbyllur në barazim, sepse nuk shihte arsye të anulohej ai gol.
Gjithsesi, përpos nervozizmit të shfaqur, italiani nuk vijoi më tej për të bërë polemika, por u mjaftua me aq. Mirëpo, pak minuta pas mbylljes së sfidës, tekniku dha një mesazh të koduar në rrjetet sociale, duke kërkuar respekt për skuadrën që ai drejton.
“Respekt Kukësi”, shkroi italiani, pa dhënë detaje se nga kush e kërkonte respektin. Teksa komentet ishin të shumta nga ana e tifozëve, të cilët i tregonin përkrahjen, një mik i tij italian tërheq vëmendjen duke i shkruar:
E vjedhur? Në këtë moment vjen edhe përgjigjja e Longos, e cila nënkupton në njëfarë mënyre se tekniku dyshon për diçka më shumë të asaj që ndodhi në këtë përballje, por nuk mund të flasë dot, sepse i druhet ndonjë dënimi të mundshëm. “Nuk flas, përndryshe më dënojnë përjetë”, ishte përgjigjja e teknikut të Kukësit, kur e pyesin nëse bëhet fjalë për një ndeshje të vjedhur.
Një përgjigje, që ngjan shumë me ato të Murinjos kur ka rezerva për gjykimin. Portugezi bëri fillimisht bujë me një thënie të tillë në kohën kur luante tek Interi dhe që atëherë e ka përdorur thuajse në çdo klub ku ka drejtuar. Madje, edhe te Roma, me të cilën u bashkua para pak muajsh.