Ulja në stol e Sindri Gurit në ndeshjen e fundit të Ostende ka çuditur shumëkënd, pasi sulmuesi shqiptar ishte kthyer në një pikë referimi për repartin e avancuar të klubit belg.

Ai u aktivizua vetëm në minutat e fundit ndaj St. Truiden, në takimin e humbur 0-1 ku skuadra e tij prodhoi shumë pak raste para portës.

Por trajneri Gert Verhejen ka shpjeguar se kishte sakrifikuar Gurin në këtë ndeshje, për të hequr paksa barrën e përgjegjësisë nga shpatullat e sulmuesit shqiptar, i cili po ndjente trysninë në këto momente.

“Unë desha të heq trysninë nga shpatullat e Sindrit, pasi ky nuk është lojtari që ne kemi parë në veprim në Shqipëri.

Ai qartësisht kërkon të mbajë shumë peshë mbi shpatullat e tij”, tregoi trajneri duke shpjeguar se kjo ndikonte në paraqitjet e lojtarit dhe veprimi i tij ishte një mënyrë për të nxitur sulmuesin të shfaqej më i qetë në ndeshjet e ardhshme në fushën e lojës.

Ostende mban vendin e 7 në klasifikimin e kampionatit belg me 6 pikë në po aq ndeshje të luajtura. Guri deri tani ka luajtur në të 6 sfidat, duke gjetur një herë rrjetën, në humbjen përballë Anderleht./vipsport/