Pas fitores së djeshme me golin e Hamdi Salihit, në minutën e 6-ë shtesë, trajneri Roman Mahlish i Nojshtadit e ka ngritur në qiell sulmuesin shqiptar, duke theksuar se ai është gjithmonë aty ku dhe kur duhet.

Sipas trajnerit austriak, edhe kur nuk bën asgjë gjatë ndeshjes, Salihi shfaqet në një moment dhe vendos ndeshjen:

“Salihi shënoi me një goditje të bukur në kohën e duhur. Ai është një lojtar që na shpëton kur kemi nevojë.

Edhe kur nuk duket për 90 minuta, ai është aty, në momentin e duhur. Nuk po luanim mirë dhe kërkoja më shumë pasime dhe kombinime më të sakta. Për fat të mirë, fituam”, – tha trajneri i Nojshtad, Mahlish, pas ndeshjes së djeshme.

Me këtë fitore Nojshtad mban vendin e 4-t dhe është 3 pikë larg zonës që ngjitjes në elitën e futbollit austriak.

Kurse vetë sulmuesi shkodran u shpreh: “Në ekip kemi 2-3 ekzekutues të mirë të goditjeve standarde.

Kisha parandjenjën se do të shënoja dhe ashtu doli. Nuk provoj shumë goditje të lira në stërvitje.

E dija se mund të shënoja dhe e bëra. Duhet të fitojmë ndeshjet tona, pastaj të shohim të tjerët.” / Vipsport/