Largimi i Refik Vorfës nga drejtimi i ekipit të basketbollit të meshkujve të Vllaznisë i ka gjetur në njëfarë mënyrë të papërgatitur drejtuesit e klubit.
Për momentin ata nuk kanë ende një kandidaturë për zëvendësimin e tij. Aktualisht ekipi është duke u stërvitur nga zëvendëstrajneri Fatjon Taraboshi i cili është një kandidat i fortë për të mbajtur këtë detyrë edhe më tej, por këtë herë si trajner i parë.
Nga ana tjetër, një kandidaturë e fortë është edhe ajo e kapitenit të kësaj skuadre Ervin Berdica. Lojtari gradualisht po shkon drejt fundit të karrierës dhe dëshira e tij është për të vazhduar më pas karrierën e trajnerit.
Por këtë mund ta fillojë që këtë sezon duke bërë të dyja punët sëbashku, edhe atë të trajnerit por edhe atë të lojtarit pasi gëzon një formë shumë të mirë sportive.
Duhet thënë se ekipi një muaj para kampionatit, ka një gjendje të mirë. Periudha tranzitore dymujore nën drejtimin e trajnerit Vorfa por edhe puna e bërë me përgatitësin atletik Fatjon Serhati, ka kthyer sportistët në një gjendje normale dhe tashmë trajneri i ri do të ketë për detyrë të ruajë këto parametra fizikë dhe ta bëjë skuadrën gati për kampionat.
© shkodrasport.com