Nga Endri ÇINARI
Lajmi i mbrëmjes së kaluar tek Vllaznia ishte largimi i trajnerit, Migen Memelli. Pogradecari që u caktua në krye të stolit kuqeblu në muajin qershor ndau rrugët me klubin mbrëmë. Kjo pas rezultateve jo pozitive që patën kuqeblutë në këtë periudhë. Ku tashmë gjenden në vendin e 7-të me vetëm 12 pikë pas 10 javësh.
E si zëvendësues i ish-sulmuesit do vijë tek Vllaznia, Qatip Osmani. Një trajner ndoshta jo me një jehonë të madhe në vendin tonë, por i mirënjohur në Maqedoninë e Veriut. 54-vjeçari do jetë drejtuesi i ri i stolit kuqeblu dhe për shumë kënd që nuk e njeh, ai ka drejtuar ekipe të njohura si: Renova, Shkupi dhe mbi të gjitha Shkëndija.
Në palmaresin e tij si trajner ai ka 3 tituj kampion në vendin fqinj. Duke qenë një nga trajnerët më të suksesshëm dhe mirënjohur. Po ashtu kohëzgjatja mesatare e drejtimit të skuadrave që ka pasur është 1.63 vite. Duke treguar se është një trajner që i ka mbyllur sezonet me ekipet në të shkuarën.
Preferncat e trajnerit janë që të bëjë një lojë sulmuese, ku sistemi që aplikon zakonisht në fushën e lojës është 4-2-3-1. Eksperienca e fundit në stol për Osmanin është tek Shkëndija në sezonin e shkuar.
Ku me tetovarët e humbi titullin kampion vetëm në 3 javët e fundit të kampionati. Duke u renditur në fund në vendin e tretë të renditjes. Tashmë në Shkodër të gjithë presin me kureshtje se çfarë do sjellë drejtuesi i ri i pankinës kuqeblu.