Trajneri i ekipit të U19 të Vllaznisë, i shpallur kampion i grupit të veriut dhe po ashtu edhe fitues i Kupës së Shqipërisë, është shprehur në një intervistë të tij për “Panorama Sport”, rreth situatës aktuale të Vllaznisë.

Po ashtu ai ka komentuar edhe deklaratat e drejtorit sportiv, të turkut Engin Firat. Për më tepër, Luan Zmijani është shprehur edhe për atë që i ka kërkuar drejtorit në startin e sezonit të shkuar kur atij i është kërkuar që të ishte trajner i Vllaznisë.

Sipas Zmijanit, Vllaznia e sezonit që shkoi duhet të kishte fituar më shumë se dy lojtarë të rinj në mënyrë që t’i kishte gati për sezonin e ardhshëm.

Zmijani, si e shikoni situatën aktuale te Vllaznia?

Është një situatë e turbullt për shumë faktorë, që tanimë dihen. Janë probleme të reja dhe të mbartura, të cilat tani do të ndihen edhe më shumë. Por nuk mund të them se është një situatë që nuk mund të kalohet, pasi pastaj gjithçka do të ishte e pakuptimtë.

Këto ditë drejtori sportiv, turku Firat, nxori në skenë edhe disa probleme, por edhe hapi shumë polemika për persona që paskan dashakeqësi me Vllazninë? Komenti juaj?

Ajo që unë të paktën di është se bashkia me anë të këshillit Bashkiak, ka miratuar një buxhet të mjaftueshëm dhe për të thënë aq sa edhe klubi ka kërkuar për të kaluar sezonin.

E dimë mirë të gjithë se do të ishte normale që një Vllazni në të Parën, do të kishte lojtarë me 50% të pagave e nuk ka krahasim me Superioren.

Megjithatë, këto mund t’i dijë ai më mirë. Por ajo që më shqetëson mua, është fakti se pse drejtori Firat i ka lënë tani për t’i shprehur këto probleme. Ka pasur një vit të tërë, ku edhe mund të ishte shprehur.

Ajo që pyes sërish, është: “A kanë emra këta persona”? Është kollaj që të flitet në përgjithësi. Nuk është hera e parë që, jo vetëm Vllazninë, por çdo klub e kanë sulmuar nga jashtë e nga brenda. Për mua nuk është bukur që të flitet tani, momenti kur më shumë duhet menduar për ta bërë skuadrën dhe për strategjitë që do të ndiqen.

Mos është një dorëheqje e paralajmëruar e drejtorit sportiv?

Ndoshta. Këtë mund të mendoj nga deklarata e tij që u shpreh se pret t’i kthehet profesionit të trajnerit. Me sa di unë, ai në fillim ka aplikuar për trajner te Vllaznia e më pas fitoi postin e drejtorit sportiv.

Ju si trajner i ekipit të 19- vjeçarëve, sa e keni ndierë praninë dhe interesimin e drejtorit sportiv për seleksionimin e elementëve të rinj?

Periudhën e fundit ka pasur një rritje të interesimit të tij ndaj ekipit tonë dhe elementëve që ne kemi në dispozicion. Jemi një skuadër, që në dy vjet, kemi fituar 5 nga 6 trofetë e mundshëm dhe është meritë e padiskutueshme e atyre djemve që duhen vlerësuar.

Ai ka piketuar tre lojtarë, pavarësisht se për mua janë edhe disa më shumë. Por për mendimin tim, në sezonin që shkoi, Vllaznia duhet t’i kishte pasur dhe t’i kishte aktivizuar këta lojtarë për t’u dhënë më shumë besim.

Tani që Vllaznia duhet ribërë, mund të jetë më e lehtë apo më e vështirë për ju nëse do t’ju kërkohet ashtu siç u bë para një viti që të merrni drejtimin e skuadrës?

Unë i kam thënë në atë periudhë Firatit, i cili sapo kishte ardhur së bashku me Suadin (Licin) në krye të Vllaznisë, që duhej bërë një revolucion te skuadra.

Vllaznia, falë edhe dashamirësisë që ka nga FSHF-ja, kishtef një grup relativisht jo të vështirë në Kategorinë e Parë dhe në atë periudhë ia pata theksuar Firatit që duhej ndërtuar një ekip me lojtarë të rinj e të perspektivës. Duhej bërë revolucioni, nëse do ta quaj kështu, që një vit më parë, që të paktën për këtë vit të kishim të fituar jo vetëm Sherrin e Gurishtën.

Këta të dy janë shtylla, pasi Krymi është fituar me kohë. Megjithatë, duheshin fituar edhe të tjerë si Pusi, Gruda apo edhe Plushani me shokë, të cilëve u kërkoj ndjesë që nuk ua përmenda emrin.

Çfarë përfitimi do të kishte nëse do ishin afruar të rinjtë?

Sot këta lojtarë, ashtu si Sherri e Gurishta, do të kishin fituar besim e vlerësim. Është më vështirë ta fitosh një lojtar të ri apo një grup lojtarësh të rinj në Superiore, sesa në atë kategori dhe për më tepër në atë grup që ishte Vllaznia.

Për mua tani ka shumë rëndësi elementi që do të afrohet dhe sa këta djem të rinj, që do t’iu besohet, të ambientohen shpejt. Prandaj e theksoj se drejtuesit duhet ta kishin menduar më parë, që të kishin një bosht të tyrin të fortë dhe të kërkonin në këtë periudhë jo për shumë lojtarë, pasi një pjesë duhet t’i kishin fituar.

Ju e keni refuzuar edhe një herë që të merrni drejtimin e ekipit, nëse ju kërkohet, do ta bëni sërish një gjë të tillë, apo do pranoni?

E thashë, ishin situata të tjera. Kërkoja që ta ribëja Vllazninë. Tani ekipi ka një pjesë të mirë të lojtarëve që unë do të doja dhe me shumë punë mendoj se do të bëj një skuadër të mirë. Nuk mund të thuhet prerë një gjë e tillë, pasi janë shumë gjëra që do të shikohen. Gjithsesi, në total mendoj se do t’i thosha po.

Keni besim se Vllaznia do të ribëhet për të qenë kompetitive pavarësisht të gjitha këtyre problematikave?

Unë besoj dhe shpresoj. Mendoj se me shumë punë dhe një vullnet të mirë të të gjithë faktorëve, Vllaznia mund të ribëhet për të qenë kompetitive dhe për të mos qenë sërish në vorbullën e ekipeve që do të luftojnë për mbijetesë. E them këtë pavarësisht se do të ketë edhe kundërshtarë dhe kjo nuk diskutohet.

Mendoj se me një menaxhim të mirë dhe me një besim të mirë të djemve që dalin vit pas viti nga akademia Vllaznia, për të cilën mund të them pa frikë se është një nga më të mirat në vend, kjo skuadër mund të ringrihet aty ku i takon.