Tirana humbi përballë Dudelange me rezultatin 2-1, ndeshjen e dytë të vlefshme për turin e parë të Champions League. Bardheblutë e kishin humbur dhe të parën 1-0 në Luksemburg, teksa tashmë do luajnë në turin e dytë të Conference League. Trajneri Orges Shehi foli në përfundim të ndeshjes.

“E filluam shumë mirë. Mendoj se është çështje eksperience sepse kemi marrë gola të lehtë. E kemi thënë që na duhen përforcime. Duhen lojtarë që kur të mungojë njëri mos të jemi në dilema, megjithatë mendoj se duhet patjetër të përforcohemi me 2-3 lojtarë. E dimë që kundërshtari në momente të caktuara vendoset mirë.

Kërkuam të shtynim sa më shumë, goli është komplet i evitueshëm dhe kur pëson gola të tillë çdo gjë bëhet e vështirë. Diferencën e bëjnë detajet në kompeticione të tilla. Kundërshtari ka dhe eksperiencën. Nuk dua të përsëris fjalët, por të marrësh gola të lehtë bëhet e vështirë. Ky kundërshtar nuk është se na ka dominuar.

Golat i kemi marrë mëse të evitueshme si atje dhe këtu. Dhe skuadrës i thashë që ky është eleminim për shkak të eksperiencës. Ka ndeshje tjetër dhe nuk duhet të futemi në presion. Kualifikimi është 50 me 50 sepse luan të parën dhe ke të dytën.

Ishim më agresiv ndeshjen e dytë, donim të rikuperonim gabimet e ndeshjes së parë. Vuajtëm në pjesën e parë, janë detajet. Asgjë të re nuk ka për përforcimet”, u shpreh trajneri Shehi./newsport/