“Ky nuk është futboll. Po na ndëshkojnë çdo javë. Kapiteni Çokaj më kërkoi disa herë të tërhiqeshim nga fusha e lojës, por unë nuk i lejova”, u shpreh për mediat trajneri i Veleçikut, Besnik Duli, pas takimit me Albanët. Sipas tij, gjykimi ishte skandaloz.

“E kam me gjykimin dhe drejtuesit e FSHF-së, të cilët heshtin para kësaj paçavure që ndodh në fushën e lojës. Një gjykim tërësisht i njëanshëm. Një penallti e pa qenë, një mori pozicionesh jashtë loje për vendësit.

Madje, edhe goli i fitores shënohet në pozicion të parregullt në minutën e 98-të, kur ishin akorduar vetëm pesë minuta shtesë. Një garë e pandershme, që vë në dyshim vazhdimin e fazës së dytë”, vijoi trajneri Duli.

Veleçiku gjatë fazës së parë ka arritur katër fitore, 3barazime dhe ka pësuar katër humbje. “Megjithëse nuk na do askush, ne prapë jemi brenda objektivit për këtë fazë duke blinduar vendin e gjashtë”, e ka mbyllur Duli prononcimin e tij.