Edhe pse skuadra e tij vuajti jo pak, trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, ka folur me nota pozitive pas miqësores me Teutën. Ai pranoi se skuadra është thuajse e plotësuar dhe se i ka elementët që i duhen për sezonin e ardhshëm, ndërsa për rikthimin e Florind Bardullës nuk deshi të jepte shumë komente.
Cili është gjykimi juaj për këtë ndeshje, a është gati Vllaznia për sezonin e ri?
Mua personalisht skuadra më pëlqeu, pasi bëri një ndeshje shumë të mirë, pavarësisht se ishte një miqësore. Ekipi i zbatoi me përpikëri detyrat që i dhashë. Më pëlqyen shumë në këtë takim edhe djemtë e rinj.
Vllaznia e nis kampionatin në fushën e saj ku do të presë Laçin. Si ju është dukur kalendari?
Mendoj se është short i mirë, pasi luajmë në shtëpi, përpara tifozëve tanë. Duhet ta përgatisim ndeshjen në mënyrën më të mirë për ta fituar. Për Laçin di që është një ekip që luan futboll të bukur dhe që ka djem të rinj në përbërje. Do të jetë e vështirë, kuptohet, por besoj se do ta kalojmë me sukses.
A e ka mbyllur merkaton Vllaznia?
Skuadra pothuajse është gati, kemi shumë elementë në kontingjentin tonë. Kemi forcuar ekipin aty ku kemi menduar se kishte mangësi. Stafi teknik po bën një përgatitje specifike, pasi vetë koha që kemi na lejon të bëjmë një fazë përgatitore për të marrë ngarkesën e duhur për sezonin e ri, për arsye se duhet të jemi në formë për ndeshjet. Tani është kohë e shkurtër për të bërë një minifazë që lojtarët të kenë mundësi për të qenë me freskinë e duhur për kampionatin.
Si është gjendja e Ramadanit, pasi nuk u nis fare për fazë prej dëmtimit?
Me sa kam biseduar, është duke u rikuperuar. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe shpresoj të jetë gati për ndeshjen e dytë ose të tretë të kampionatit.
Si u bindët ta rikthenit Bardullën, pse pa provë?
Është diçka e kaluar dhe nuk kam koment për këtë pjesë.