Trajneri maqedonas Mirsad Jonuz është hera e parë që drejton një skuadër në Shqipëri ndonëse në vendin tonë ka ardhur disa herë për të luajtur ndeshje miqësore në kohën kur drejtonte kombëtaren U21 dhe atë të të rriturve të vendit të tij.

Si rrjedhojë, edhe të njohurit nuk i ka të shumtë megjithatë në Shkodër e ka gjetur një. Që ditën e parë të stërvitjes, ai është parë të përqafohet përzemërsisht me doktorin e njohur të Vllaznisë Zyhdi Çoba.

Nga sa dukej, njohja mes tyre ishte e hershme. Këtë gjë e ka zbuluar edhe vetë Çoba kur për “Shkodra Sport” e pohoi se me Jonuz njihet që prej 15 vitesh, periudhë kur ai ka qenë pjesë e stafit të kombëtares U21 të Shqipërisë që në atë periudhë drejtohej nga i ndjeri Artan Bushati.

Edhe Jonuz ua ka bërë të qartë lojtarëve se e njeh mjaft mirë mjekun e ekipit të tyre dhe kjo do ta ndihmonte shumë në punën e tij të mëtejshme me këtë skuadër.

Ja pra që futbolli i bashkon njerëzit dhe gjatë këtyre tre ditëve që Vllaznia ka nisur stërvitjes, dyshja Jonuz- Çoba është parë shumë herë të qëndrojë sëbashku e të diskutojë për skuadrën, problematikat dhe të ardhmen e saj.
© shkodrasport.com