Vllaznia bëri disa spastrime në skuadër, duke larguar emra të mëdhenj që kanë lënë gjurmë te kuqeblutë, të paktën këto dy vitet e fundit. Kështu, Mevlan Adili, Fallou Diagne, Ardit Krymi dhe Victor Da Silva janë disa prej futbollistëve më të rëndësishëm që kanë mbyllur kontratën me shkodranët.

Ndërkohë, deri më tani, Vllaznia ka bërë pesë afrime në merkato, siç janë Boshnjaku, rikthimi i Nunes dhe Shehit, si edhe firma me Vulaj dhe Juriç.

Reparti i mbrojtjes pritet të mos ketë më ndryshime të tjera, teksa Zogoviç, Gurishta, Juriç, Bulatoviç dhe Hakaj do të përbejnë prapavijën. Në mesfushë, pritet një rikthim i mundshëm i Herald Markut, megjithatë mbetet për t’u parë në ditët në vijim. Momentalisht, ky repart mund të përbëhet nga Boshnjaku dhe Jonuzi.

Surpriza e premtuar nga presidenti Alban Xhaferi pritet të bëhet në repartin e sulmit, aty ku deri më tani në mbështetje të Aralicës, pritet të jenë Hoxhaj dhe Latifi në krahë, si edhe Vulaj në rolin e fantazistit.

Nëse Herald Marku do të firmosë, atëherë Hoxhaj mund të ulet në stol dhe vendin e tij në të djathtë, mund ta marrë Vulaj. Poashtu, një dilemë tjetër është edhe ajo e Dajan Shehit apo e Darko Bulatoviç, por një gjë e tillë mbetet për t’u parë në vijim.

Të paktën, kjo pritet të jetë Vllaznia europiane, teksa aventurën e tyre, shkodranët do ta fillojnë nga data 21-korrik, në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj Universitatea Craiova.
Maringlen ZHIVANI