Tradita e garave me biçikleta në mes nxënësve të shkollave 9-vjeçare, është rikthyer sërish në Shkodër. Një e tillë është organizuar paraditën e së shtunës në by-passin e qytetit nga shoqata e çiklizmit Vllaznia, në bashkëpunim me Zyrën Arsimore Rajonale, Bashkia Shkodër dhe Qendrën Kulturore të Fëmijëve.

Kështu, morën pjesë në këtë garë rreth 50 nxënës dhe në fund fitues i saj është shpallur Bekim Tafili i shkollës “Ruzhdi Daca”. Në vend të dytë, u rendit Arsid Teli i shkollës “Ndre Mjeda” dhe në vend të tretë Rijad Muça, po i shkollës “Ruzhdi Daca”.

Trajneri i çiklizmit të Vllaznisë, njëkohësisht edhe organizator i këtij aktiviteti, Leonat Kola, në një prononcim për mediat, është shprehur se qëllimi ishte rritja e pasionit të nxënësve për biçikletën dhe njëkohësisht përzgjedhja e elementëve më të mirë për ekipin e Vllaznisë.

“Të them të drejtën, u munduam të zhvillojmë një aktivitet në vazhdën e traditës që ka Shkodra për biçikletat, për sportin e çiklizmit, duke e ditur se një pjesë e madhe e familjeve shkodrane, kanë lidhje me çiklizmin, sepse të gjithë kanë biçikleta nëpër shtëpi, u munduam të kthenim një traditë. Ka disa kohë që ne kemi menduar ta organizojmë, ta rivendosim në funksion këtë traditë që kemi dhe pas shumë punë dhe mundime, arritëm që ta organizojmë këtë aktivitet.

Dua të falënderoj gjithë mbështetësit e mi që kam pasur, Drejtorinë Arsimore, Drejtorinë e Sportit në Bashki, Qendra Kulturore e Fëmijëve dhe Shoqata e Çiklizmit Vllaznia, që e bënë të mundur. Një falënderim të veçantë dua të bëj këtu për Policinë Bashkiake dhe Policinë e Rendit, Policinë Rrugore, që bëri të mundur këtë organizim perfekt, pa asnjë incident.

Dua t’i falënderoj të gjithë. Shpresojmë që këto gara të na interesojnë edhe ne si ekip, sepse gjithmonë nga kështu aktivitetesh kanë dalë sportistë për Vllazninë.

Kanë dalë talenta, figura, kampionë të ndryshëm. Shpresojmë që, fituesit e sotëm të jenë një prurje për ekipin e çiklizmit të Vllaznisë. Tafili është një mbiemër i madh, por ky që fitoi nuk ka lidhje.

Shpresojmë të ndjekë rrugën e Agim Tafilit të madh. Ai kishte dëshirë të bëhej pjesë e çiklizmit të Vllaznisë. Unë u bëra thirrje gjithë djemve të rinj, jo vetëm këtyre që morën pjesë, por të gjithëve në Shkodër, që te çiklizmi i Vllaznisë e kanë derën e hapur”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë, Leonat Kola.
Maringlen ZHIVANI