Dita e sotme ka qenë e para e punës së tij në krye të Vllaznisë. Kuptohet ekipit A, sepse atë B e drejton prej tre vitesh.

Trajneri Ervis Kraja sot në seancën e parë që ka drejtuar skuadrën e parë kuqeblu është ndeshur me disa probleme që padyshim do të ndikojnë në përgatitjet për ndeshjen e së shtunës me Kukësin.

Kështu, tre prej futbollistëve nuk janë stërvitur me grupin. Bëhet fjalë për Malotën, Orelesin dhe Bardullën.

Ata kanë ndjerë shqetësime të ndryshme dhe për rrjedhojë, kanë rënë dakord që të mos stërviten.

Por nëse Malota dhe Bardulla nesër pritet t’i bashkohen grupit, disi më ndryshe duket situata e nigerianit.

Ai edhe ndaj Partizanit ka luajtur i dëmtuar dhe kjo ka bërë që tashmë të ndjejë më shumë dhimbje.

Parashikohet që ai edhe mund të mungojë për sfidën e së shtunës megjithatë për trajnerin Kraja kjo nuk përbën problem.

Në prononcimin e tij të sotëm e bëri të ditur se tashmë nuk ka më liderë në ekip por vetëm punëtorë.

Nuk përjashtohet mundësia që ndaj Kukësit në skuadër të ketë edhe futbollistë nga ekipi B.
© shkodrasport.com