Pavarësisht lojrave të mira të zhvilluar, “Vllaznia B” ende nuk e njeh shijen e fitores në kampionatin e kategorisë së parë ku merr pjesë për herë të parë sivjet. Ajo ka siguruar vetëm dy barazime dhe katër humbje duke siguruar deri më tani vetëm dy pikë. Por, trajneri i kësaj skuadre Ervis Kraja, në një prononcim për “Shkodra Sport” shpresat se tashmë ka ardhur rradha për fitore dhe të parën do ta sigurojnë pikërisht nesër ndaj Besës.

“Jam i bindur se fitorja e parë për ekipin tonë do të vijë pikërisht ndaj Besës. Unë kam shumë besim për këtë gjë. Një besim që e bazoj tek elementi që kam në dispozicion, tek puna e bërë në stërvitje me to dhe po ashtu edhe tek konkluzioni i dalë nga analiza e zhvilluar së fundmi me ekipin ku kam konstatuar se të gjithë lojtarët janë të motivuar për ta fituar këtë ndeshje”. Takimi “Vllaznia B”- Besa, i vlefshëm për javën e shtatë të kategorisë së parë do të luhet ditën e shtunë në orën 14.00 në fushën sportive “Reshit Rusi”.

© shkodrasport.com