Ka vetëm dy javë në krye të Adës por ka arritur menjëherë të bëhet pjesë e rëndësishme e saj. Trajneri Kreshnik Krepi ndjehet si në shtëpi aty sepse karrierën në pankinë e ka nisur pikërisht me këtë skuadër, me të cilën ka fituar shumë përvojë. Në dy ndeshje që drejton velipojakët këtë sezon, ka arritur të fitojë një, pikërisht me ish- ekipin e tij Veleçikun dhe të humbasë tjetrën, me rezultat të ngushtë 1-2 ndaj Tërbunit.
Sigurisht që për këtë të fundit ka vërejtjet e tij sa i takon gjykimit megjithatë çdo gjë tashmë ka kaluar dhe ai ka filluar të mendojë për sfidat e tjera. Ajo që vlen mbi të gjitha është se Krepi ka shumë besim se Ada nuk do rrezikohet në asnjë mënyrë të bjerë nga kategoria sivjet. “Shumëkush mendon se jemi të rënë nga kategoria. Por këta njerëz duhet ta harrojnë këtë gjë. Ada nuk ka rënë asnjëherë nga kategoria e parë dhe nuk do të bjerë as sivjet. Kam shumë për këtë gjë dhe të jeni të bindur se kështu ka për të ndodhur. Unë e njoh këtë skuaëdër, e di se çfarë është në gjendje të bëjë presidenti i saj Alfred Pjetri që po financon prej 20 vitesh këtë klub dhe të gjithë sëbashku, jemi të vendosur të bëjmë më të mirën”- ka thënë ai. Largimi i tij nga Veleçiku dhe ardhja tek Ada, ka bërë që menjëherë të fillojnë të qarkullojnë fjalë se lojtarë të ndryshëm do largohen nga skuadra velipojake në janar për t’i zëvendësuar me lojtarë të tjerë që pëlqehen nga ana e trajnerit. Vetë Krepi publikisht ka dashur ta sqarojë këtë gjë duke thënë: “I garantoj të gjithë futbollistët aktualë të Adës se në janar nuk do largohet asnjëri nga ekipi. Janë të gjithë të nevojshëm për të. Natyrisht që do vijnë lojtarë të tjerë të cilët kanë dëshirë të punojnë me mua tek Ada dhe sigurisht që për ta do ketë vend, për të shtuar konkurrencën dhe për të bërë më të mirën për këtë ekip”. Skuadra ka vetëm 3 pikë në renditje. Sigurisht shumë pak për të pretenduar pastaj ato çfarë thotë trajneri e për këtë arsye, duhen të tjera për t’u marrë. Madje duke filluar nga takimi i rradhës me krutanët. “Vëmendja është e përqendruar tek ndeshja e rradhës me Kastriotin. Aktualisht ky ekip është ndër rivalët tonë kryesorë dhe patjetër që do të kërkojmë ta mundim për ta lënë poshtë në renditje. Vërtetë Kastrioti ka emër më të madh se ne por kjo nuk besoj se do shfaqet në fushën e lojës. Do jemi ne më të mirët dhe ata që do ta fitojmë këtë ndeshje”-ka thënë trajneri i velipojakëve. Ndonëse janë luajtur vetëm 6 ndeshje deri tani, bregdetarët nuk kanë shumë dëshirë që objektivin e tyre ta lënë për ta realizuar në fundin e sezonit. Për këtë arsye trajneri Krepi e ka të qartë atë se çfarë duhet të bëjë. Deri në fund të dhjetorit kur do të ndërpritet kampionati, kërkon të marrë edhe 12 pikë. Këtë e thotë hapur në prononcimin e tij për gazetën kur shprehet: “Objektivi im dhe i skuadrës është që në dhjetor kur të ndërpritet kampionati, të kemi shkuar në kuotën e 15 pikëve. Do jetë pak e vështirë por unë kam besim tek djemtë që stërvis sepse me përkushtimin që po tregojnë çdo ditë në stërvitje, do ia dalim”.
Gjergj KOLA