Humbja me Kastriotin dy javë më parë ka lënë ende pasojat tek kampi velipojak. Askush nuk e kishte menduar atë disfatë e cila tashmë ka bërë që të prishen shumë plane. Nëse drejtuesit e klubit dhe të stafit teknik kishin llogaritur marrjen e disa pikëve deri në fund të dhjetorit, tashmë bilanci do jetë ndryshe.

Tre pikët e lëna me krutanët u shoqëruan me një tjetër  humbje në Kajavë me Besën dhe në këtë mënyrë Ada sërish ndodhet e fundit në renditje. Kjo gjë e ka rënduar edhe më shumë situatën në rradhët e kësaj skuadre por trajneri Kreshnik Krepi ka ende besim se gjërat mund të rregullohen. Madje, brenda kësaj jave teksa pritet një fitore ndaj Kamzës në ndeshjen që do të luhet ditën e dielë në Pukë. Sipas tij skuadra është e plotë për këtë ndeshje. “Momenti që po kalojmë nuk është i mirë. Humbja me Kastriotin na ka prishur jo pak punë por duhet ta kalojmë këtë situatë. Jemi të përqendruar maksimalisht tek sfida e rradhës me Kamzën që është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Kam të gatshëm të gjithë grupin e lojtarëve dhe kjo është diçka pozitive, çka do të më japë mundësinë të hedh në fushë lojtarët më në formë për të kërkuar rezultatin që dëshirojmë”- është shprehur Krepi. Qënia e të gjithë futbollistëve të gatshëm sigurisht që është diçka pozitive por kjo nuk mjafton për ta fituar ndeshjen. Një tjetër faktor pozitiv sigurisht që janë edhe tifozët pukjanë të cilët po e mbështesin shumë skuadrën velipojake. Përballja e nesërme në mes Adës dhe Kamzës do të jetë edhe një përballje trajnerësh. Krepi dhe Zani e njohin mjaft mirë njëri- tjetrin madje edhe Zani ka drejtuar për disa vite skuadrën velipojake dhe e njeh mirë atë dhe kontigjentin e lojtarëve. Por kjo sigurisht që nuk e tremb Krepin i cili thotë se kampionati tani nis për Adën. “Kampionati jonë tani fillon. Nëse nuk mundim Kamzën, më mirë të ikim të gjithë në shtëpi. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër përveç fitores. Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë por bashkë me futbollistët mund t’ia dalim”- ka thënë ai në fund të prononcimit të tij. Kampionati natyrisht që tani fillon për këtë skuadër nëse ajo don të shpëtojë. Këtë javë pret Kamzën, javën tjetër pret sërish Ilirinë, më pas udhëton për në Lezhë dhe e mbyll këtë vit duke pritur sërish Burrelin. Nëse Ada arrin të marrë 9 pikë në këto 4 ndeshje sigurisht që do ta ketë arritur objektivin e saj për këtë gjysmë të parë të kampionatit për të shpresuar pastaj në ndryshime pozitive në gjysmën e dytë, shoqëruar edhe me marrjen e disa lojtarëve cilësorë në merkaton e janarit.
© shkodrasport.com