E kishte paralajmëruar që edhe ky trofe do të mbërrinte mbrëmjen e së enjtes në Shkodër dhe kështu ndodhi. Trajneri i Vllaznisë së femrave Nikolin Leka është shfaqur shumë i emocionuar pas finales së fituar me rezultatin 4-0 ndaj Apolonisë, njëlloj sikur të ishte trofeu i parë për të.

Në fakt, ishte trofeu i 10-të që ai fiton bashkë me Vllazninë (që prej vitit 2015 që e drejton këtë ekip e deri më sot, ka fituar gjithçka me të), megjithatë kënaqësia vijon të mbetet e njëjta.

Për “Shkodra Sport” pas suksesit në Elbasan, Leka është shprehur: “Pa diskutim që ishte një trofe i merituar prej nesh. Kjo sepse jemi përgatitur të gjithë vitin për këtë trofe dhe vajzat e përgatiten ndeshjen mirë. Unë këtë finale ia dedikoj vetëm vajzave, punës të tyre të palodhshme, disiplinës së hekurt që kanë pasur në çdo moment e dëshirës së tyre.

Ishte një hap fals mund të themi, ai në Fier pak javë më parë, megjithëse diferencat dukeshin edhe në fushën e lojës, por ndoshta, ju kam thënë se qetësia para portës na çoi në atë barazim, por ndeshja finale e tregoi fytyrën e vertetë, edhe të Apollonisë edhe të Vllaznisë. E tregoi se kush është Vllaznia”.
www.shkodrasport.com