Vllaznia për femra ka shkruar historinë, duke u kualifikuar në grupet e Champions League. Kjo arritje historike padyshim që i dedikohet shumë të gjithëve, sepse ky ekip po dhuron kënaqësi të pafundme.

Megjithatë, padyshim që një ndër protagonistët kryesor të këtij kualifikimi historik është edhe trajneri Nikolin Leka, i cili ka hyrë tashmë edhe ai në histori si trajneri më i suksesshëm në historinë e futbollit shqiptar të femrave, teksa në total deri më tani ka fituar 14-trofe me Vllazninë dhe tashmë së fundmi, ka shkruar historinë me vajzat shkodrane, duke u kualifikuar në grupet e Champions League.

Leka u shpreh se ka falënderime pafund për të gjithë, ndërsa theksoi se loja u dominua pothuajse plotësisht nga ekipi i tij, me përjashtim të episodit të golit.

“Në rradhë të parë, ju falënderoj ju të medias. Do ta nis me falënderime, sepse është arritur diçka historike, diçka e jashtëzakonshme për ekipin tonë dhe për vendin tonë. Faleminderit të gjithëve, ju të medias edhe njëherë tjetër, faleminderit presidentit Lazër Matija, që e mbështet gjithë këtë ekip, faleminderit gjithë tifozëve që erdhën për të na parë neve, faleminderit stafit teknik dhe stafit mjekësor, që i kam gjithmonë afër, por mbi të gjitha, falënderoj ata vajza, ata heroina që bënë gjithçka në fushën e lojës.

Atëherë, nuk ishte mirë kur na barazuan, sepse e dominuam lojën, por në ata momente kishim besim te fitorja, sepse e dimë çfarë kemi bërë në stërvitje. E dimë se çfarë karakteri kanë vajzat tona dhe nuk e humbëm besimin, por ia arritëm dhe ia dolëm me sukses.

Padiskutim që, është një histori kjo që bëmë. Kemi hyrë në histori, jemi në 16-ekipet më të mira të Europës për kaq pak vite që ka futboll femrash vendi ynë. Kjo nuk është diçka e vogël dhe për këtë punë, unë e nisa me falënderime për të gjithë ata që kontribuojnë për futbollin e femrave dhe për ata vajza heroina.

Normalisht, ne nuk kemi ardhur kot deri këtu. Do të kërkojmë diçka. Do mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme. Nuk shkojmë si të dorëzuar edhe në grupe. Do mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme, për çfarë të jetë e mundur për t’u bërë. Publikun e falënderova. Unë i them shumë faleminderit dhe i presim në ndeshjet tjera”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë në futboll për femra, Nikolin Leka.
Maringlen ZHIVANI