Vllaznia e femrave ka mësuar sot emrin e kundërshtarit me të cilin do të ndeshet në turin e dytë të Ligës së Kampioneve të Europës. Pas dy javësh, vajzat kuqeblu do të ndeshen në Shkodër me kampionen e Bjellorusisë FC Minsk.
Në lidhje me këtë përballje dhe shortin e hedhur sot, ka dhënë një mendim edhe trajneri i Vllaznisë Nikolin Leka i cili beson tek një kualifikim tjetër i ekipit të tij.
Natyrisht që shorti është short dhe nuk mund të zgjedhësh. Na ra përballë ekipi i Minskut, një ekip shumë i fortë i cili ka në përbërje të tij lojtare të huaja, një ekip që vazhdimisht ka kaluar në 32 skuadrat më të mira të Europës.
Por gjithsesi Vllaznia është duke punuar fort për të përsëritur suksesin e vjetshëm dhe kalimin edhe të këtij turi dhe futjen sërish në 32-shen e më të mirave të kontinentit”- ka thënë trajneri Leka.
I pyetur ndërkohë nëse është plus zhvillimi edhe i kësaj ndeshje në “Loro Boriçi”, numri 1 i pankinës shkodrane do të shprehej:
“Padiskutim që ky është një favor se do të luajmë sërish në fushën tonë, para atyre pak tifozëve që lejohen dhe të cilët do të na përkrahin dhe unë besoj tek një kualifikim i mundshëm.
Kualifikimi ndaj kampiones turke, ka bërë që ekipi jonë nga ana morale tashmë të jetë shumë lart sepse të arrish atë lloj fitoreje. Tashmë do të fokusohemi maksimalisht tek sfida me ekipin e Minskut dhe objektivi jonë padyshim që do të jetë fitorja edhe ndaj tij”./SHKODRA-SPORT.COM/