Vllaznia e femrave e nisi me humbje fazën e grupeve të Championsit, në ndeshjen ndaj Realit të Madridit, teksa u mundën me rezultatin 0-2. Pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë së femrave, Nikolin Leka, doli në konferencën për shtyp, teksa tha se ishin të ndërgjegjshëm se kundër kujt luanin.

Në fjalën e tij, Leka vlerësoi eksperiencën e Realit, por theksoi se vajzat e drejtuara prej tij, bënë një lojë të pëlqyeshme për të arritur te një rezultat pozitiv, edhe pse nuk ia arritën dot qëllimit të tyre. Poashtu, trajneri shkodran u shpreh se të luash kundër Realit nuk është e lehtë, ndërsa përgëzoi vajzat e Vllaznisë për lojën e zhvilluar.

“Ne ishim të ndërgjegjshëm kundër kujt luanim. Reali është ekip që bën futboll elitar në Europë dhe e dinim atë punë. U munduam të qëndrojmë në mbrojtje dhe për të dalë me kundërsulme. 15-minutat e para edhe vajzat kishin emocionet e veta, sepse të luash kundër asaj fanelle, nuk është krejt e lehtë.

Megjithatë, me kalimin e minutave, filluam ta qarkullojmë pak topin. Dolëm edhe në kundërsulm, ku një rast edhe mund të shënonim. Gjithsesi, duke ditur diferencat e të dy ekipeve, them që kemi bërë një lojë të pëlqyeshme.

Vajzat i përgëzoj për detyrat që i kryen në maksimum. Në momentin e golit të Realit, dy-tre qendërmbrojtëset nuk u morën vesh, u ça mbrojtja dhe erdhi goli. Megjithatë, them që ma merr mendja që në çdo ndeshje e më tepër do të fitojmë përvojën e duhur.

Me gjithë diferencën e të dy ekipeve, ne nuk jemi ekip që mund të mundemi me gola të shumtë, sepse e dimë çfarë vlerash kanë këto vajza, se sa mirë luajnë futboll, se si mund të vendosen në fushë. Kështu që, ne nuk jemi ekip që pësojmë gola shumë, por gjithsesi prapë diferencat janë diferenca.

Vazhdimësinë normalisht, e shoh të vështirë, sepse janë ekipe elitare në Europë, por them që do fitojmë një përvojë të mirë në këto ndeshje grupesh. Unë i falënderoj të gjitha ata sportdashës që kishin ardhur për të ndjekur dhe për të na mbështetur deri në fund të takimit. Do t’i falënderoj shumë, sepse ishin lojtari i 12-të në fushën tonë dhe do t’i përgëzoj me gjithë zemër.

Reali ka nivel më të lartë se ne, por gjithashtu fitoi edhe eksperienca e tyre, sepse ato janë ekip që kanë luajtur edhe vitet tjera në fazën e grupeve, kështu që, kanë edhe eksperiencën e duhur. Penalltia? Përderisa e dha gjyqtarja, nuk ke çfarë kundërshton. Mund të ketë qenë ndoshta ndonjë kontakt i vogël, por gjithsesi kur jepet, nuk ke pse kundërshton kot”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë së femrave, Nikolin Leka.
Maringlen ZHIVANI