Skuadra që ai drejton ka bërë historinë e futbollit të femrave në Shqipëri megjithatë po tenton të thyejë të tjera rekorde. Vllaznia e femrave sonte ka qenë shumë pranë një barazim të paktën ndaj danezeve të Fortunës në ndeshjen në luajtur në “Loro Boriçi”.
Trajneri Nikolin Leka duke folur për mediat pas ndeshjes është shprehur: “Sigurisht që të vjen keq kur e mendon sërish atë mundësi të artë që patëm në minutën e 95-të për ta barazuar ndeshjen, ashtu siç patëm edhe dy raste të tjera të pastra në pjesën e parë.
Kishim përballë një kundërshtar shumë të fortë megjithatë u munduam të bëjmë lojën tonë. Gjërat nuk na kanë shkuar ashtu si duhet vetëm në kontrollin e topit sepse duhej ta mbanim më shumë dhe përpos kësaj, të mos gabonim në momente të caktuara të lojës siç u gabua tek 11-metërshi.
Nuk dua të gjykoj nëse ishte apo jo vendi i duhur i arbitres sepse ai tashmë nuk ndryshon megjithatë ky rast duhej të evitohej. Me humbjen 1-0 padyshim që shanset tona zvogëlohen sa i takon kualifikimit por kjo nuk do të thotë se shkojmë të dorëzuar në Danimarkë.
Do të shkojmë atje të bëjmë lojën tonë dhe pse jo, të synojmë kualifikimin. Vllaznia ka bërë gjithçka mirë deri tani dhe pse jo të mos pretendojmë për një suprizë të këndshme. Këto vajza po luajnë në mënyrë të shkëlqyer duke e çuar lart futbollin shqiptar dhe meritojnë vërtetë përgëzime”-ka thënë Leka.
© shkodrasport.com