Trajneri i portierëve, Ideal Lekiqi, e ka ndierë të domosdoshme që të jetë në krah të portierit të tij, Alen Sherri. Humbja ndaj Tiranës shkoi në njëfarë mënyre tërësisht në adresë të “gardianit” kuqeblu. Ai ka besim dhe shpreh mbështetjen për lojtarin e tij, ashtu siç edhe beson te forca e grupit si për kualifikimin në turin tjetër të Kupës, po ashtu edhe për një ecuri më të mirë në kampionat.
Lekiqi, nuk munguan shigjetimet nga të gjitha anët për portierin Sherri pas humbjes ndaj Tiranës…
Nisur nga reagimet e shumta që kam parë sot (dje) në media, jam ndjerë keq kur kam parë se si të gjithë shigjetat e humbjes bien mbi Sherrin. Me vjen keq për situatën në të cilën ndodhet personalisht portieri, duke ditur përgjegjësinë që ky rol ka nga ana njerëzore dhe profesionale.
Ndiej detyrë jo t’i dal në mbrojtje, por për ta suportuar në raste të tilla. Sigurisht, nuk dua ta shfajësoj nga përgjegjësia, por kur ekipi del në fushë, mban emrin Vllaznia dhe jo personalisht portieri, ose një lojtar tjetër në fushë. Është shumë e rëndësishme që përgjegjësia të jetë e shpërndarë.
Ama, gafa u bë…
Natyrshëm që unë personalisht di çfarë t’i them Sherrit e portierëve të tjerë që stërvis. Po ashtu, ne diskutojmë edhe ku duhet riparuar nga ndeshja në ndeshje. Por në këtë moment, kur të gjithë shigjetojnë mbi të, e ndiej detyrim profesional t’i dal në krah në këto momente. Nuk është fundi i botës dhe këto gabime janë pjesë e lojës së futbollit e aq me tepër për rolin e portierit, që për mendimin tim është shumë herë më i ekspozuar ndaj gabimeve se pjesa tjetër e ekipit.
Jam i bindur se ky moment do t’i shërbejë për një reflektim personal dhe profesional, sepse pa dyshim që aftësitë e tij janë shumë të mira. Këtë e tregon edhe fakti që Vllaznia ka besuar dhe investuar shumë tek e ardhmja e këtij portieri. Ka vend për përmirësim, po në koshiencën e tij ekziston gjithmonë dëshira për t’i ndryshuar gjërat për mirë, sepse është pjesë e një klubi dhe një qyteti që kërkon shumë nga ai vet dhe nga gjithë pjesëtarët e tjerë të ekipit. Ajo që mbrëmë (parmbrëmë) më bëri shumë përshtypje, ishte veprimi që bëri portieri i dytë, Tedi Laço. Ai ishte pari që shkoi drejt Sherrit, duke e inkurajuar dhe duke i shprehur se Vllaznia është ekip.
Lekiqi, e theksuat disa herë që Vllaznia është ekip e jo një lojtar. Pra, kanë edhe të tjerët pjesën e tyre të fajit në këtë humbje?
Normalisht që, kush më shumë e kush më pak, secili ka pjesën e tij. Stafi teknik do të merret me analizën e takimit e jo me një rast spontan. Kjo do të shihet për t’u rikuperuar në takimet në vijim.
Çfarë ngjet me Vllazninë në Shkodër, vuan për të gjetur fitore?
Lojtarët ndihen më të emocionuar. Kanë një ndjenjë të lartë përgjegjësie, që duhet fituar para tifozëve të tyre dhe kjo i bën me sa duket më të ngarkuar për ta kërkuar me zor fitoren. Këtë kërkuan edhe ndaj Tiranës. Konstatimi që ekipi shprehet më lirshëm jashtë fushës është mëse i drejtë. Skuadra duket se nuk ndien atë presion si në Shkodër.
Pas pak ditëve është takimi i dytë për 1/16-at e Kupës ndaj Flamurtarit, do të jetë një takim kthese për Vllazninë dhe sa është i mundshëm kualifikimi?
Pavarësisht rezultatit të takimit të parë, ne do të jemi në turin tjetër të Kupës. Vllaznia ka treguar se është më lart se Flamurtari në këtë sezon. Kemi falur shumë në Shkodër, por nuk mendoj se do ta bëjmë një gjë të tillë në Vlorë. Kupa është një objektiv i skuadrës sonë.
Në kampionat duket se gjërat lëvizin shpejt, tani jeni barazuar me Skënderbeun dhe rrezikoheni për vendin e tetë, që do të thotë “play- out” për Vllazninë….?
Në kampionat, një ndeshje të fut në valle për Europën, një humbje të zbret. Kampionati është i ngjeshur dhe nga vendi i parë deri tek i teti, skuadrat kanë treguar se nuk kanë disnivel. Humbet brenda, por fitohet edhe jashtë. Prandaj është herët të thuhet ku do të jetë vendi ynë, por jam i bindur se do të jemi më lart nga ku jemi tani.