Trajneri i skuadrës së Vllaznisë, Hasan Lika, pas ndeshjes së djeshme, me Burrelin ka folur për mediat. Në një prononcim që ka dhënë pas kualifikimit, trajneri kryeqytetas i shkodranëve, natyrisht që priste më shumë: “Vllaznia do të ketë gjithnjë vështirësi.

Çdo skuadër jep më të mirën ndaj nesh. Futbollistët dhanë më të mirën edhe në takimin e sotëm. Natyrisht që duhet të ishin më të saktë në finalizim. Por, ne duhet që të fitojmë dhe të luajmë më mirë se të tjerët në çdo ndeshje”, – tha Lika fillimisht.

Më pas, trajneri i Vllazninë ka folur edhe për synimet sezonale. Mes kupës e kampionatit, trajneri i skuadrës shkodrane, është shprehur: “Oreksi në Kupë?!

Kampionati është në plan të parë, por edhe në kupë nuk dorëzohemi. Kemi kohë për turin tjëtër dhe tashmë duhet që të fokusohemi në kampionat, ku na duhet që të bëjmë më të mirën”.

“Në fundjavë luajmë në Lezhë dhe duam që të japim më të mirën tonë për të fituar edhe atje. Duke marrë pikët e plota edhe ndaj skuadrave rivale, do të jemi në rrugë të mbarë për t’u rikthyer në Superiore, i cili është edhe synimi i klubit për këtë sezon”, – tha duke mbyllur prononcimin e tij, trajneri Hasan Lika.