Kukësi do të presë të dielën në Rrogozhinë skuadrën e Vllaznisë, një ndër kundërshtarët që vjen në një formë optimale, sidomos pas gjashtë golave të shënuar ndaj Dinamos javën e shkuar. Verilindorët janë të vetëdijshëm për cilësitë e kampit shkodran, sidomos sa u përket individualiteteve që mund të zgjidhin ndeshjen, por ky fakt nuk i tremb, thjesht i motivon akoma më shumë.

Kukësi i trajnerit Diego Longo vjen pas atij barazimi që mund të konsiderohet pozitiv ndaj Partizanit. Aksionet e mira dhe loja në tërësi e zhvilluar në këtë takim duket se ka lënë mbresa edhe te vetë italiani i pankinës, i cili i kujton ende edhe pas disa ditësh. Me shumë gjasa, jo rastësisht i ka sjellë në vëmendje.

LONGO – Trajneri i Kukësit e konsideron lojën e grupit si forcën e vërtetë të skuadrës që ai drejton dhe shpesh nëpër intervista e ka theksuar këtë fakt. Për të ilustruar më së miri filozofinë e lojës së tij, ai ka shpërndarë në rrjetin e tij social “Facebook” dy momente: rastin flagrant të humbur nga Basha dhe golin e barazimit nga braziliani Feijao. Të dyja këto aksione i lidh me një fakt: unitetin e grupit. “Ja një shembull i dy tranzicioneve.

I pari, i nisur nga një top i gjatë i rifituar dhe i dyti, që nis nga zona jonë. E bukur, e kryer mirë teknikisht. Por teknika nuk mjafton. Të dyja janë të pamundura të arrihen me sukses pa kushtin primar: unitetin e grupit. Fundi i videos e vërteton”, shkruan fillimisht Longo krah videos së postuar, i cili me sa duket, po i gëzohet faktit që ka një grup të bashkuar dhe kompakt.

MESAZHI – Për të përforcuar mendimin e tij në lidhje me forcën e grupit, trajneri Longo ka zgjedhur një frazë të një sportisti të shquar amerikan, Babe Ruth, i cili ka luajtur bejsboll profesionist në fillim të viteve 1900. “Mënyra se si një ekip luan në tërësi përcakton suksesin. Ju mund të keni një grup të formuar nga yjet më të mirë në botë, por nëse ata nuk luajnë mirë së bashku, skuadra nuk vlen asnjë qindarkë”, shkruan Longo, duke cituar Ruth.

Kjo thënie për grupin me shumë gjasa nuk ka ardhur rastësisht përpara sfidës delikate me Vllazninë, por për dy arsye. Nga njëra anë Longo ka shprehur besimin dhe ka motivuar lojtarët e tij, duke kërkuar t’i mbajë nën tonus dhe t’u thotë që vetëm si grup mund të marrin rezultate pozitive dhe nga ana tjetër i ka bërë “presion” Vllaznisë, të cilët nuk do ta kenë të lehtë me Kukësin.