Tirana eshte eliminuar edhe nga Kupa e Shqiperise dhe kjo e konfirmon me se miri sezonin e veshtire qe ajo po kalon. Trajneri i saj Gugash Magani për “Panorama Sport” u shpreh se ai nuk bëhet barrë për klubin, por nuk jep dorëheqjen. Në një intervistë pas eliminimit me Bylisin, peqinasi tha se situata është e rëndë, ndërsa pranoi se ka besim te skuadra.

Magani jeni eliminuar nga Kupa e Shqipërisë. Si e patë këtë sfidë me Bylisin? Eliminimi nga Kupa na mërziti shumë, sepse ne kishim si objektiv edhe kualifikimin në këtë kompeticion. Këto janë ngjarje që ndodhin në futboll. Duhet me qenë shumë i drejtpërdrejtë. Unë mendoj se kam bërë më të mirën për skuadrën dhe do të vazhdoj të drejtoj nëse qëndroj, sepse që të jem i sinqertë unë nuk mund të them se ecuria është e mirë, pasi rezultatet nuk më japin të drejtë.

Do të qëndroni në skuadër apo pas këtij eliminimi do të jepni dorëheqjen? Nëse unë jam barrë, unë nuk jap dorëheqjen, pasi eliminimi nga kupa nuk është pjesë e kontratës. Në këto momente braktisja ime nuk i bën mirë skuadrës, pasi ajo ndodhet në një moment të vështirë. Mendoj se braktisja do të ishte diçka jo e mirë nga ana ime.

Tirana ama në gjysmën e sezonit është e parafundit dhe e eliminuar nga Kupa? Unë kam besim te skuadra. Kam një detyrim për Tiranën vetëm që të shpëtojmë sezonin, sepse jemi në fund të tabelës. E pashë se edhe mënyra se si u eliminuam, nuk dua t’i hyj fare analizës. Në fund fare, fitues ishte Bylisi që me meritë e kaloi këtë tur. Kemi të gjithë përgjegjësitë tona. Unë kam atë përgjegjësinë kryesore, sigurisht që edhe lojtarët kanë përgjegjësinë e vet, por unë e kam kryesore.

Ju thatë që nuk jepni dorëheqjen… Barrë nuk bëhem në asnjë moment dhe nuk jap asnjë shenjë largimi. Unë do të vazhdoj punën e nëse unë jam e keqja, atëherë tek e fundit fare, trajneri në këto raste është ai që merr koston më të madhe.

Sa ju bind ky grup dhe kjo skuadër, që mund të jap atë që dëshironi, objektivin për pjesën e kampionatit të mbetur? Kjo skuadër mua më bind edhe pse thashë që rezultatet më japin të drejtë. Kemi disa javë me oshilacione, ku në tre ndeshjet e fundit, ne kemi shënuar të parët, por jemi ndëshkuar. Unë mendoj se është vetëm çështje trysnie dhe presioni. Ka momente ku duhet, që lojtarë të veçantë të bëjnë liderin, por nuk e kanë bërë ose nuk po e bëjnë.

E mira është që ta ruajmë qetësinë mirëpo unë sërish kam besim te skuadra. Skuadra besoj se me ardhjen e dy lojtarëve që sot i patë në fushë, dhe për mua nuk luajtën keq, do të ndryshoj edhe në lojë edhe në rezultate. Nuk më shkon ndërmend, që do të dështojmë, megjithatë siç e theksova dhe më parë rezultatet nuk na japin të drejtë, kështu që normalisht kjo është gjendja.